SKANDALI/ Kat shtesë në pallatin e Erion Veliajt te “Kodra e Diellit”

0

Rasti është tërësisht flagrant, megjithëse kompania mund të ketë siguruar leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës, e drejtuar pikërisht nga banori i atij pallati, Erion Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj jeton në këtë godinë prej vitit 2016, kur bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa dhe prindërit e saj, blenë një apartament 160 metra katrorë, me vlerë 88 mijë euro.

Kati shtesë mbi këtë ndërtesë, përveçse mund të krijojë probleme sigurie për banorët e tjerë të pallatit, e nxjerr godinën tërësisht jashtë konstruksionit të përgjithshëm të saj, por edhe të ndërtimeve përreth.

Pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit 2019, Bashkia e Tiranës u deklarua se do të ndiqte një politikë agresive ndaj kateve dhe shtesave të tjera në pallate, për shkak se u konsideruan si faktori kryesor për shumëfishimin e dëmeve në kryeqytet.

 

Por, përtej deklarimeve publike, kohët e fundit janë vënë re raste të shumta shtesa godinash, përfshirë edhe në zona tejet të dukshme për qytetarët, siç ka ndodhur në zonën e ish-Bllokut.

Por, tashmë, shtesat mbi kate kanë njohur ekspansion edhe në zonën ku banon edhe vetë kryebashkiaku i Tiranës. Madje, pikërisht mbi kokën e tij.

Në kompleksin rezidencial “Kodra e Diellit”, ku jeton familja e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, banojnë edhe shumë personazhe të tjerë të jetës politike dhe publike të vendit.

Kompleksi është ndërtuar nga kompania “Agi-Kons”, një prej atyre që mund të konsiderohen si ndër më të “përkëdhelurat” nga administrata bashkiake e Erion Veliajt.

Prej vitit 2015, kur Veliaj fitoi mandatin e parë, kompania “Agi-Kons” rezulton se ka përfituar rreth 5 miliardë lekë të vjetra punë publike nga Bashkia e Tiranës, krahas lejeve të ndërtimit që ka marrë për ndërtime private.

Në 6 vitet e fundit, “Agi-Kons” ka përfituar, në total, mbi 22 miliardë lekë të vjetra nga tenderat publikë, të zhvilluar nga institucione të ndryshme shtetërore, përfshirë Fondin Shqiptar të Zhvillimit dhe Ministria e Kulturës./Boldnews

Artikulli i mëparshëmKonkurrenca: Në tregun celular po përdoren çmime grabitqare
Artikulli i radhësRama sulmon gazetën austriake: DerStandardat’, po përhap lajme të rreme