Nisma e gjyqtarit të Apelit të Shkodrës, Aleks Nikolli katër vite më parë për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me ligjin e protestave ka çliruar qytetarët nga një frenim ligjor, që i detyronte të merrnin leje nga policia para se të dilnin në rrugë për të protestuar. Gjykata Kushtetuese nxorri një vendim në datën 4 Maj, që u prit me entuziasëm nga aktivistë politikë dhe të shoqërisë civile. Sipas këtij vendimi ka një konflikt të nenit 262 të Kodit Penal pasi e drejta për të protestuar është cënuar nga ajo pjesë e nenit ku shkruhet “pa marrë më parë lejen nga organi kompetent, sipas dispozitave të veçanta”. Sipas Gjykatës Kushtetuese qytetarët nuk kanë nevojë të marrin leje për të protestuar.
Gjyqtarët e Shkodrës Aleks Nikolli, Lindita Hoxha dhe Selim Kryeziu, kur iu drejtuan Kushtetuese vinin në dukje se neni 262 i Kodit Penal e kishte origjinën në vitin 1995, para anëtarësimit të Shqipërisë në Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
“Jo vetëm […] jurisprudenca e GJEDNJ-së, por edhe nga shqyrtimi i legjislacioneve bashkëkohore, konstatohet se një pjesë e madhe e tyre nuk kërkojnë fare autorizim paraprak nga autoritetet shtetërore për të mbajtur një tubim apo manifestim paqësor, madje një pjesë e legjislacioneve pararojë, kanë amenduar edhe kërkesat për njoftim paraprak për zhvillimin e një kategorie të gjerë tubimesh dhe grumbullimesh publike,” arsyetonin gjyqtarët e Apelit të Shkodrës, të cilët morën shkas nga një çështje gjyqësore për të cilën u dënuan disa të rinj të Partisë Demokratike në një protestë të marsit të vitit 2017. Arvit Bushati, anëtar i FRPD-së u dënua për protestën me 90 mijë lekë gjobë nga Shkalla e Parë e Gjykatës, pasi u konsiderua fajtor për organizimin e protestës pa marrë leje nga policia me rastin e një vizite të kryeministri Rama në Shkodër.
Në një reagim në rrjetet sociale pas dhënies së vendimit nga Gjykata Kushtetuese, Arvit Bushati ka shkruar: “Me date 2 mars 2017, se bashku me nje grup te rinjsh te Forumit Rinor zhvilluam nje proteste qe prej prokurorise dhe policise se Shkodres u quajt e paligjshme, sepse nuk kishim marre leje. Qe prej asaj dite u gjendem shpesh dyerve te komisariatit dhe gjykatave te Shkodres”
Por ajo që bie në sy në këtë histori është se Kryetari i Gjykatës së Apelit që mori përsipër t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje rezulton të jetë skualifikuar nga Vetingu.
Vetë Nikolli e ka përshëndetur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa thotë se “çmimi” që ka paguar për këtë ndryshim të ligjit ka qenë shumë i lartë.
“Rreth tre vjet më parë, në kulmin e një stine haluçinante revolucionare, ku “opinion publik” ishte droguar nga çorba që i ofrohej në të tre vaktet, me ndërgjegjen e ftohtë qytetare e profesionale, gjeta kurajën që ti drejtohem një gjykate inekzistente kushtetuese, për të shfuqizuar një normë penale e cila në vlerësimin tim ishte e papranueshme për një shoqëri të shekullit të XXI. Me gjithëse çmimi i paguar ka qenë i lartë, lajmi i sotëm më ka bërë që të kujtoj se asnjë vend nuk është bërë pa sakrifica të mëdha, pa besim në ideale e vlera të larta njerëzore, dhe se çmenduria për të bërë gjërat që mendon se janë të drejta dhe të ndershme, vlejnë më shumë se mençuria për të ulur qafën e për tu konformuar me të keqen!
Së fundmi, edhe një mësim i vogël praktik, që rrëzon fabulat djallëzore me djepë dhe shejtanë, se një Gjykatë e metë dhe sakate kushtetuese, është shumë herë më mirë se një gjykatë inekzistente kushtetuese!” shkruan ish gjyqtari, tashmë i përjashtuar nga sistemi për shkak të vetingut.
Gjithsesi, aktivisti i FRPD-së, i dënuar nga protesta e Shkodrës në vitin 2017 nuk e ka lënë pa një falenderim.
“Deri ne diten e seances une as nuk e kisha takuar dhe perpos asaj dite as e kam takuar ndonjehere, por me sa jam informuar ky gjyqtar binte ne sy per pergatitjen dhe racionalitetin qe kishte ne gjykimet e tij, gje qe u pa dhe ne çeshtjen tone e ku aspak nuk u intimidua nga perfshirja e politikes ne mes duke mbajtur nje qendrim dinjitoz.
I jam mirenjohes sepse fale vendimit te tij per t’ju drejtuar Gjykates Kushtetuese tashme shqiptaret mund te protestojne te lire” shkruan protestuesi.