Lajmi i kryeministrit shqiptar Edi Rama se brenda 24 orëve nuk ka pasur asnjë të shtruar në spitale nga COVID-19 shënon edhe zyrtarizimin e mbajtjes së edicionit të
dytë të UNUM Festival.
Në ambjentet e hotel Princ Adriatik te Rana e Hedhun në Shëngjin, sot është mbajtur konferenca zyrtare e festivalit.
Nga data 3 deri më 7 qershor në plazhin e Ranës së Hedhun në Shëngjin, UNUM Festival pritet të sjellë turistë nga mbarë bota.
Ministri shqiptar i Turizmit, Blendi Klosi konfirmoi se mbajtja e festivalit do të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë.
“Ne dhe kryeministri e kemi thënë se duam të jemi kampion të turizmit në Ballkan dhe për të qenë kampion duhet të kemi aktivitete si UNUM-i, i cili vjen kësaj radhe me
DOKUFEST-in”, ka thënë ai.
Organizatorët e festivalit kanë konfirmuar se deri më tani janë shitur deri në 80 për qind të biletave.
Zëdhënësi i festivalit, Ardin Badiviku ka treguar se testet e shpejta do të bëhen për të gjithë ata që nuk janë të vaksinuar apo nuk kanë një test valid brenda 72 orëve.
ONE Telecommunications do të jetë mbështetësi kryesor i UNUM Festival këtë vit.
Manaxherja e Marrëdhënieve të Korporatës, Ornela Bego u shpreh se “ONE dëshiron të sjellë entuziazmin dhe festën e munguar prej kaq shumë kohësh në publik. Përmes
UNUM Festival, i bashkohemi jo vetëm festës por edhe promovimit të Shqipërisë, që tashmë e mbështesim edhe me rrjetin tonë që mbulon 98.1% të popullsisë”
I pranishëm edhe kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, shprehu mbështetjen e plotë për organizatorët e festivalit duke e vlerësuar UNUM-in si një ndër ngjarjet më të
rëndësishme për turizmin shqiptar.
Gjatë 5 ditëve të festivalit tanimë janë të konfirmuar mbi 75 artistë ndërkombëtar e rajonal, ndër DJ-të më të mëdhenj të muzikës elektronike në botë.
Konferencës i parapriu edhe pastrimi i plazhit të Shëngjinit.
Për më shumë informacion vizitoni unumfestival.com