Janë zbardhur detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur mesditën e sotme në Vlorë ku u ekzekutua me kallashnikov biznesmeni 40-vjeçar Bledar Birçaj. Mësohet se personi tjetër që po udhëtonte me të në momentin e atentatit është larguar nga dera e pasagjerit dhe është futur në një prej garazheve në zonë duke pritur aty deri në largimin e autorëve.
Deri më tani dyshohet se kanë qenë dy persona në automjetin nga ku janë qitur më shumë se 10 plumba kallashnikovi në drejtim të 40-vjeçarit, njëri prej të cilëve ka drejtuar automjetin ndërsa tjetri ka qëlluar me armë.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të dy karburanteve në zonë për të mësuar me çfarë automjeti udhëtonin autorët dhe drejtimin në të cilin janë larguar ata.
Pistë kryesore e grupit të hetimit është e shkuara e viktimës në Spanjë. Ai rezulton i dyshuar si i përfshirë në një tjetër ngjarje në vitin 2011, por hetimet në lidhje me këtë çështje u pushuan për mungesë provash.
Së fundmi ai kishte qëndruar më shumë kohë në Spanjë prej nga bënte shpesh vajtje ardhje nga Shqipëria. Në Vlorë nuk njihej si person problematik por si biznesmen pasi ishte pronar i një lokali të njohur në zonën e Lungomares.