Zbardhet plani i PS për shkarkimin e Ilir Metës/ Nga angazhimi i ekspertëve të huaj, te dosjet e SHISH dhe Antiterrorit (DETAJE)

0
Zbardhet plani për shkarkimin e Ilir Metës, nga angazhimi i

Komisioni Hetimor për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra ka nisur zyrtarisht punën, teksa me 9 vota pro ka miratuar planin paraprak të hetimit. Ky komision u mblodh dy ditë më parë në drejtimin e kryetarit Alket Hyseni, i cili në mbledhjen e parë të zhvilluar, tha se puna e këtij Komisioni do të jetë e “zhveshur” nga politika dhe se do të bazohet vetëm te Kushtetuta dhe ligjet. Por gazeta ka siguruar planin e plotë paraprak, ku janë plot 8 pika që Komisioni Hetimor do të ketë si busull. Kështu, sipas asaj që thuhet në dokumente, në planin e punës së komisionit hetimor parashikohet që gjatë punës që do të kryejë komisioni, do të kërkohet asistencë nga ekspertë të huaj, të cilët do të japin opinionin e tyre lidhur me gjetjet dhe veprimtarinë e ndjekur nga presidenti Ilir Meta para, gjatë fushës zgjedhore dhe heshtjes zgjedhore sa u takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Pra, opinioni i ekspertëve të huaj është tepër i rëndësishëm, kështu që komisioni hetimor do të bashkëpunojmë me ta, në mënyrë që në finale vendimi i tyre të mos shkaktojë debat dhe paragjykohet. “Do marrim 2 ekspertë konstitucionalistë të huaj për të na ndihmuar me ide dhe konsulencë; Seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës; Analiza e provave dhe fakteve që kemi mbledhur dhe që do dalin nga seanca dëgjimore me presidentin; Përgatitja dhe miratimi i raportit përfundimtar që komisioni do t’i paraqesë Kuvendit në seancë”, thuhen në dokument.

Roli i SHISH dhe Antiterrorit

Por interesant është fakti se në kuadër të hetimit që do të kryejë komisioni hetimor, në planin paraprak tregohet qartë që ky komision nuk e ka shaka hetimin e presidentit Ilir Meta, për të cilin mendon dhe ka bindjen se ka shkelur Kushtetutën. Më konkretisht në një nga pikat e planit paraprak hetimor që u lexua edhe të shtunë nga kryetari i komisionit hetimor, Alket Hyseni, parashikohet edhe një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, Ilir Meta. Mirëpo, nëse ky i fundit do të refuzojë të shkojë të dëshmojë dhe në kushtet kur komisioni hetimor e sheh të natyrshme dhe të domosdoshme dëgjesën me kreun e shtetit, është parashikuar edhe marrja e zotit Meta për të dhënë sqarim para deputetëve, qoftë edhe forcërisht. “Njoftimi i Presidentit të Republikës me ngritjen e komisionit hetimor; Të drejtën që ka kreu i shtetit për t’u shprehur në këtë komision; nëse presidenti nuk dëshiron të vijë për të dëshmuar në komision ne kemi të drejtë të thërrasim atë si të domosdoshëm, qoftë edhe jashtë vullnetit të tij”, thuhet në planin paraprak hetimor, i cili u lexua të shtunë edhe nga kryetari i komisionit hetimor, socialisti Alket Hyseni. Nga ana tjetër pjesë e planit hetimor dhe që është theksuar në dokumentin e siguruar nga gazeta është edhe marrja e informacioneve nga institucionet ligjzbatuese sa u takon thirrjeve të bëra nga presidenti Ilir Meta për kaos dhe impaktit që kanë pasur ato. “Do hetojmë veprimtarinë e presidentit Ilir Meta përpara dhe gjatë fushatës zgjedhore, si dhe në ditën e heshtjes zgjedhore 2021, ku në fokus do jetë marrja e të dhënave zyrtare dhe jozyrtare nga institucionet lidhur me objektin e hetimit të komisionit hetimor që kemi ngritur, si informacione të detajuara nga Policia e Shtetit, Shërbimi Informativ Shtetëror, Ministria e Brendshme dhe Drejtoria e Antiterrorit; Do kërkojmë filmimet nga AMA që Meta bën thirrje për dhunë në media dhe rrjetet sociale dhe pjesë të objektivit do të kemi edhe opinionet që ka dhënë Komisioni i Venecias mbi përplasjet Presidencë-Kuvend”, thuhet në planin paraprak hetimor, i cili u lexua të shtunë edhe nga kryetari i komisionit hetimor, socialisti Alket Hyseni.

Artikulli i mëparshëmZbardhen detaje nga ekzekutimi e biznesmenit, personi që po e shoqëronte u largua dhe u fsheh në garazh, ja pista kryesore ku dyshon Policia
Artikulli i radhësZaev flet pas takimit me Von der Leyen: Shkupi dhe Tirana të mos ndahen në rrugën drejt BE-së!