Tregjet financiare në panik, pas sulmit kibernetik rus ndaj SHBA/ Frika pasqyrohet në rritjen e forte të çmimeve të naftës. Bursa për datën 11 Maj 2021

0

Duke komentuar për sulmin e hakerëve ndaj tubacionit më të madh të naftës në SHBA, Presidenti amerikan Joe Biden tha se Moska mban përgjegjësi megjithëse nuk ka prova për rol direkt në sulmin që sipas agjencive amerikane të zbulimit është kryer nga banda “Darkside”. Ndërkohë, Kremlini mohoi aludimet se ka lidhje me sulmin.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden tha se nuk ekzistojnë prova që e lidhin në mënyrë të drejtpërdrejtë qeverinë ruse me sulmin kibernetik të një grupi me bazë në Rusi, që kishte në shënjestër tubacionin më të madh të transportit të naftës në SHBA.

Të hënën gjatë një konference shtypi, Presidenti Biden tha se do të takohej me homologun e tij rus.
“Do të takohem me Presidentin Putin. Deri tani, nuk ka prova nga agjencitë tona të zbulimit për përfshirje të Rusisë, ndonëse ka prova se sulmi erdhi nga Rusia. Ata kanë përgjegjësi të merren me këtë”, tha zoti Biden.

Ndërkohë, një zyrtare e lartë e sigurimit kombëtar të Shtëpisë së Bardhë tha se agjencitë e zbulimit po punojnë për të përcaktuar nëse hakerat e tubacionit kanë lidhje me qeverinë ruse, gjë që është mohuar nga zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov.

Ai i bëri thirrje Uashingtonit që të rrisin bashkëpunimin mes dy vendeve me qëllim të përmirësimit të sigurisë kibernetike.

“Ne mendojmë se bashkëpunimi në shkallë botërore dhe mes dy vendeve mund të ndihmojë luftën e përbashkët kundër sulmeve kibernetike”, tha zoti Peskov gjatë një konference për gazetarë.

Ndërkohë tregjet financiare dhe bursa ndërkombëtare e naftës e kanë pasqyruar menjëherë këtë sulm që konsiderohet nga më të rëndët në historinë industriale të SHBA-ve.

Çmimet e naftës në bursë u rritën përnjëherë, pas njoftimit se presidenti i SHBA, Biden, kërkoi një takim me homologun rus Putin. Rritja e fortë pritet të pasqyrohet edhe në ditët në vijim.

Kujtojmë se çmimet e naftës kanë qënë në një rritje të pandalshme, që prej fillimit të procesit global të vaksinimit, më herët gjatë vitit, i cili ndikoi në zbutjen e masave kufizuese në shumë shtete, por riktheu shpresën për një rikthim në normalitet brenda këtij viti.

Bursa për datën 11 Maj 2021 u mbyll si më poshtë:

Vlerat janë të shprehura në $/mt

Brent është shprehur në $/bbl

ProduktiÇmimi ditor ( $/mt )Ndryshimi ditor +/- ( $/mt )
BENZINA650.75+ 0.00
DIESEL550.75+ 2.50
BRENT68.91+ 0.26

©aktualitet.al

Artikulli i mëparshëm(DETAJE) Aksidenti në minierën e Martaneshit/ Tre minatorë asfiksohen nga gazi
Artikulli i radhësGrabitësit dhunuan dhe vranë 20-vjeçaren në sy të bashkëshortit e fëmijës, gazetari i njohur tregon detajet shokuese: Autorët dyshohet se janë me origjinë…