Mijëra besimtarë myslimanë kremtojnë sot Fiter Bajramin, dhe mbushin sheshin “Skënderbej”

0

Mijëra besimtarë myslimanë në mbarë botën kremtojnë sot festën e Fitër Bajramit. Mëngjesin e sotëm, besimtarët shqiptarë kanë mbushur sheshin “Skënderbej”, ku është zhvilluar ceremonia e faljes së namazit. Ceremonia nisi rreth orës orën 05:40 dhe zgjati pak më shumë se 40 minuta.

Ndryshe nga viti i kaluar, ku besimtarët myslimanë u falën nëpër xhami, këtë vit për shkak të lehtësimit të masave të pandemisë së Covid-19, besimtarët u falën në sheshin “Skënderbej”. Ceremonia filloi me leximin e Kuranit prej imamit të xhamisë së Ethem Beut dhe vazhdoi me ligjërata, faljen e namazit dhe hytbe. Ceremoni të ngjashme janë zhvilluar edhe në qytete të tjera të vendit.

Një ditë më parë kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi të gjithë besimtarët myslimanë shqiptarë dhe bëri thirrje për më shumë solidaritet dhe angazhim për adhurimin e Zotit.

Po kështu edhe liderët politikë në vend kanë uruar besimtarët myslimanë për festën e Fitër Bajramit.

Festa e Fiter Bajramit vjen pas 30 ditëve të agjërimit në muajin e shenjtë të Ramazanit. Emri Fitër Bajram vjen nga ajo që myslimanët para ditës së Bajramit shpërndajnë lëmoshë, solidarizohen me të varfrit, kështu për ta festuar së bashku këtë festë.

Artikulli i mëparshëmMjekët të shokuar japin alarmin: Hiqni dorë nga ky trajtim, nuk ju shpëton nga Covidi! Rrezikon përhapjen e sëmundjeve të tjera
Artikulli i radhësKryemadhi uron besimtarët: “Sot është dita e krijimit të një fryme të re për të cilën qytetarët kanë nevojë”