Strategjia 5-vjeçare e Arsimit do t’i kushtojë qeverisë 415 milionë euro

0

Një strategji 5-veçare për Arsimin (2021-2026) që detajon edhe programet dhe orientimet që do të ketë kjo fushë në vazhdim pritet që t’i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 415 milionë euro nëse materializohet.

Varianti i parë i saj është përmbyllur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit e cila e ka nxjerrë dokumentin për konsultim. Sipas këtij varianti nga kostoja totale për zbatimin e Strategjisë që është 51.54 miliardë lekë, 36.23 miliardë (70.3%) janë parashikuar për Arsimin Parauniversitar (Qëllimi i politikës A), 135.04 milionë (0.3%) për Menaxhimin e Sistemit të Arsimit dhe 15.17 miliardë (29.8%) për Arsimin e Lartë.

Por cilat janë objektivat për arsimin parauniversitar që merr edhe shumicën e vëmendjes. Dokumenti përcakton të paktën katër të tilla ku i pari është që të sigurohet përfshirja e plotë në klasën përgatitore dhe në arsimin e detyrueshëm, si dhe rritet aksesi në arsimin parashkollor dhe të mesëm të lartë, nëpërmjet krijimit të kushteve të përshtatshme infrastrukturore dhe mjediseve shkollore miqësore. Së dyti krijimi i mundësive për formimin cilësor të mësuesve dhe përmirësimi i sistemit të karrierës që i inkurajon ata të zhvillojnë nivele më të larta të aftësive për mësimdhënie.

Së treti zbatimi i plotë i kurrikulës së bazuar në kompetenca nëpërmjet mësimdhënies efektive dhe shfrytëzimit të burimeve të cilësisë së lartë. Së katërti zhvillimi i kompetencës digjitale nëpërmjet shfrytëzimit më të mirë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit për mësimdhënie dhe të mësuarit.

Sa i takon politikës së dytë që është menaxhimi dhe sigurimi i cilësisë parashtrohen dy objektiva ku së pari rritja e performancës së shkollës nëpërmjet drejtimit dhe menaxhimit profesional dhe të përgjegjshëm dhe sigurimit të cilësisë. Së dyti garantimi i performancës së sistemit të arsimit nëpërmjet ndërtimit të një kornize gjithëpërfshirëse të vlerësimit dhe kapaciteteve për zbatimin e saj.

Për arsimin e lartë janë parashikuar të paktën shtatë objektiva duke nisur nga rritja e cilësisë së arsimit të lartë nëpërmjet riorganizimit të programeve të studimit, modernizimit të infrastrukturës akademike dhe aplikimit të standardeve të larta të vlerësimit institucional dhe të programeve të studimit. Më pas vijohet me nxitjen e përsosmërisë në mësimdhënie dhe kërkim shkencor, ndërlidhja më e mirë e arsimit të lartë me tregun e punës si dhe sigurimi i integritetit akademik, transparencës dhe llogaridhënies në sektorin e arsimit të lartë.

Ndër të tjera përfshihet edhe përmirësimi i statusit socio-ekonomik të studentëve nëpërmjet ofrimit të shërbimeve cilësore dhe formave të ndryshme të ndihmës financiare apo ndërkombëtarizimi i arsimit të lartë në Shqipëri dhe integrimi në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA). Në fund edhe avancimi i infrastrukturës së TIK-ut dhe i shërbimeve digjitale për IAL-të publike./MONITOR

Artikulli i mëparshëmArtan Hoxha del me paralajmërimin “bombë”: Duhet të ketë një reagim të fuqishëm, ja kush është viktima e radhës
Artikulli i radhësYlli Manjani bën deklaratën e fortë, tregon dy gabimet që fundosën Partinë Demokratike