Kompania e gazit mjekësor, ‘GTS-Albania’ ka përfituar mbi 12 miliardë lekë të vjetra tendera nga Ministria e Shëndetësisë. Administratori i ‘GTS-Albania’ u shfaq në Janar të vitit 2021 në përgjimet e Anti-Mafias në Itali si nyje lidhëse mes Ndrangheta-s dhe lejeve të ndërtimit në Tiranë, ndërsa rezulton të jetë kompania me shifrën më të lartë të parave, të përfituara nga tenderat në sektorin e Shëndetësisë. Pavarësisht përgjimeve kjo kompani vijon të përfitojë tendera publikë.
Nga SYRI TV
Një raport i agjencive të specializuara për shpenzimet publike në Shqipëri zbulon se shoqëria ‘GTS-Albania’, administratori i së cilës përmendet në përgjimet e anti-mafias italiane si nyje lidhëse mes Ndrangheta-s dhe lejeve të ndërtimit në Tiranë, rezulton të jetë kompania me shifrën më të lartë të parave, të përfituara nga tenderat në sektorin e Shëndetësisë.
Sipas portalit opendata.al, kompania e gazit mjekësor, ‘GTS-Albania’, ka përfituar, deri më tani, mbi 12 miliardë lekë të vjetra, duke u renditur në krye të listës së bizneseve, sipas vlerës së kontratës.
Ajo udhëheq listën, me një diferencë të madhe, krahasuar me kompanitë e tjera që janë përfshirë në tenderat publikë të sektorit të Shëndetësisë.
‘GTS-Albania’, e cila ka vite që operon në tregun shqiptar, u shfaq në Janar të vitit 2021 në përgjimet e një maksi-hetimi të zhvilluar nga Anti-Mafia e Katanzaros në Itali.
Personazhi kryesor i atij hetimi, Andrea Gallo, i njohur edhe si ‘Princi’, komunikonte me kolegët e tij se kishte siguruar kontakte me zyrtarë të lartë shqiptarë, nëpërmjet administratorit të kompanisë, Besnik Halili, bashkëshort i një drejtuese të lartë të administratës në Tiranë.
Gallo u shprehet bashkëpunëtorëve të tij se, nëpërmjet Halilit, organizata e tij kishte akses në lejet e ndërtimit në Tiranë, një veprim administrativ që është në kompetencë të kryebashkiakut Erion Veliaj.
Besnik Halili e mohoi publikisht përfshirjen e tij në ‘aferën’ e ndërtimeve, duke deklaruar se lidhjet e tij me Gallon kanë qenë thjesht profesionale dhe vetëm në funksion të biznesit që drejton.
Nga ana tjetër, kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj ironizuan përgjimet e antimafias italiane, duke e përjashtuar tërësisht veten nga dyshimet e ngritura në bisedat e regjistruara mes mafiozëve të Ndrangheta-s.
Pas publikimit të përgjimeve, prokuroria speciale SPAK, në dukje me shumë përtesë, deklaroi se kishte regjistruar një procedim penal për të vlerësuar nëse ekziston ndonjë lidhje mes bisedave ndërmjet eksponentëve të mafias kalabreze me lejet e ndërtimit në Tiranë.
Natyrisht, ky hetim, si shumë të tjerë ku dyshohet se janë të përfshirë zyrtarë të lartë socialistë, vijon prej muajsh, pa dhënë asnjë sinjal përparimi.
Ndërkohë, kompania ‘GTS-Albania’ ka vijuar tërësisht e pashqetësuar të marrë pjesë dhe të fitojë tendera publike, një pjesë të të cilëve pa garë reale ose pa konkurentë të tjerë.
Hetimet e anti-mafias italiane ngacmuan një temë, të cilën shumëkush e di në Shqipëri, por që institucionet ligjzbatuese nuk guxojnë ta prekin-atë që lidhet me raportet mes krimit të organizuar dhe lejeve të ndërtimit në Tiranë.
Raportet ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë në një vend me risk të lartë të pastrimit të parave.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i publikuar në Mars të vitit 2021, e konsideronte si shumë problematike situatën e pastrimit të parave në vendin tonë.
Indeksi i Bazelit, një tjetër raport i rëndësishëm ndërkombëtar, në gusht 2020 e renditi Shqipërinë në krye të listës së Ballkanit sa i përket luftës së munguar kundër pastrimit të parave.
Qeveria ‘Rama’ shpreson të hapë bisedimet me Bashkimin Europian këtë verë, pasi e ktheu vendin në një oaz për grupet kriminale dhe, ashtu siç provoi prokuroria e Katanzaros, edhe e mafias italiane.
Por, ndryshe nga raportet e organizmave ndërkombëtare, institucionet ligjzbatuese italiane shkuan më tej, duke siguruar indicje reale për lidhjen e mafias më të fortë europiane, me zyrtarët e lartë shqiptarë, të cilët, megjithatë vijojnë të paraqiten si luftëtarë kundër korrupsionit.