Kina po ndërton një kryeqytet të ri për Egjiptin

0

Ekonomia e Egjiptit po rritet shumë shpejt. Kina ka investuar shumë para për ndërtimin e metropoleve të Egjiptit, që përfshijnë parlamentin dhe presidencën. Kjo marrëveshje mund të sjellë shumë përfitime.

Aty ku po ndërtohet tani kulla më e lartë e Afrikës, tre vite më parë nuk ishte asgjë më shumë sesa një shkretëtirë.

Më pas filluan punë ekskavatorët dhe makineri të tjera të rënda nga kompania shtetërore kineze e ndërtimit CSCEC. Ndërtesa 585 metra e lartë pritet të përfundojë janarin e vitit të ardhshëm.

Kulla ikonike nuk është ndërtesa e vetme gjigande, që Kina po ndërton ndërkohë nga hiçi në Egjipt. Republika Popullore Kineze është partneri më i rëndësishëm i qeverisë egjiptiane për ndërtimin e kryeqytetit të ri, i cili po ngrihet rreth 35 km në lindje të Kairos.

Kulla ikonike e cila të kujton një obelisk është një ndër 20 kullat e larta, që do të përbëjnë qendrën e biznesit të kryeqytetit të ri administrativ.

Bankat kineze ofruan kredi prej 3 miliarda dollarësh dhe kompania CSCEC  mori përsipër punimet. Kina gjithashtu do të financojë dhe do të ndërtojë një shteg hekurudhor, që do të lidhë Kairon me kryeqytetin e ri.

Ajo çka do të ishte e papërballueshme për një kohë kaq të shkurtër për kompanitë egjiptiane të ndërtimit,  nuk është aspak e vështirë për kompaninë kineze.

CSCEC  është shoqëria më e madhe kineze e ndërtimit dhe ka arritur të fitojë mjaftueshëm eksperiencë në kinë duke ndërtuar kulla gjigande.

Në pjesën më të madhe të rasteve, kur Kina ndërmerr një projekt jashtë vendit, përfshihet pikërisht kompania CSCEC.

Mijëra punëtorë kinez po punojnë së bashku me forcat punëtore vendase në kantieret e ndërtimit, në mënyrë që projekti i kryeqytetit të ri të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur.

Pavarësisht se ka pasur vonesa për shkak të pandemisë, mendohet që banorët e parë do të shpërngulen aty këtë verë. Pas disa viteve qyteti besohet, se do të ketë më shumë se 6,5 miliona banorë.

Në këtë mënyrë do të lehtësohet disi metropoli Kairo, ku tani jetojnë 20 milionë njerëz. Zyrtarët egjiptian do të shpërblehen me pagesa të veçanta goxha bujare në rast se vendosin të shpërngulen në selinë e re qeveritare.

Përveç parlamentit dhe presidencës së re, në kryeqytetin e ri të Egjiptit do të ndërtohet aeroporti më i madh i vendit.

Do të ndërtohet gjithashtu një qendër argëtimi si dhe një park i cili do të jetë tre herë më i madh se Parku Qendror i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Presidenti Abdel Fatah al Sissi flet për lindjen e një shteti të ri. Me këtë ai nënkupton një Egjipt, i cili do të ketë marrëdhëniet më të ngushta me Kinën si asnjëherë më parë.

Die Zeit– Përktheu: Ina Merlika

Artikulli i mëparshëmTragjedia në maratonë, 21 vrapues ndërrojnë jetë duke ngrirë së ftohti
Artikulli i radhësSi e “rrëmbeu” KGB-ja dhe Bjellorusia avionin e Ryanair për të arrestuar gazetarin 26-vjeçar