UKT shpërndau ujë të papërdorshëm në Tiranë/ Presidenti Meta thirrje që prokuroria të hetojë

0

Presidenti Ilir Meta denoncon në “Facebook” Ndërmarrjen e Ujësjellësit të Tiranës, se ka furnizuar me ujë të papërdorshëm sipas parametrave qytetarët e kryeqytetit, që sipas tij, meritojnë mbrojtje shëndetit përmes shërbimeve shtetërore. Kreu i Shtetit thekson se mbështet aktivizimin e shoqërisë civile për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga “papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës”. Sipas Metës, çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore, ndërkohë të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar deri ku arrin shkalla e përgjegjësisë dhe e shkeljes së ligjit, për të nxjerrë para drejtësisë këdo, që ka vendosur në rrezik masiv shëndetin e banorëve të kryeqytetit.

Mesazhi i Metës:

Qytetarët e Tiranës meritojnë mbrojtje të garantuar të shëndetit përmes shërbimeve shtetërore, që mbahen dhe paguhen me taksat e tyre.
E përshëndes aktivizimin e shoqërisë civile në këtë rast për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve nga papërgjegjshmëria dhe keqfunksionimi i Ndërmarrjes së Ujësjellësit të Tiranës, në varësi të Bashkisë, që siç faktohet nga të dhënat e bëra publike, ka rrezikuar jetën e tyre duke i furnizuar me ujë të papërdorshëm sipas parametrave. Tashmë, që pritet arsyetimi i vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, çështja duhet të ndiqet edhe në instancat më të larta shtetërore, ndërkohë të dhënat e bëra publike, duhet të vënë në lëvizje Prokurorinë për të hetuar deri ku arrin shkalla e përgjegjësisë dhe e shkeljes së ligjit, për të nxjerrë para drejtësisë këdo, që ka vendosur në rrezik masiv shëndetin e banorëve të kryeqytetit. Mbrojtja e shëndetit dhe e jetës së qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, duhet të jetë prioritet absolut. 🇦🇱

Artikulli i mëparshëmPërplasja për dekretimin e Cakajt, Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht kërkesën e Ramës
Artikulli i radhësKLP bën dy emërime të reja në Tiranë e Durrës