Numri i kartave të pagesave të lëshuara nga sektori bankar u rrit më tej në tremujorin e parë të vitit.
Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit mars, numri i kartave aktive arriti në 1.3 milionë. Në tre muajt e parë të vitit, numri i kartave u zgjerua me 41 mijë njësi, ose 3.2%. Me bazë vjetore, rritja është më e lartë, me 5.7%.
Shtimi i kartave bankare vijoi edhe gjatë vitit 2020, me 4.8% më shumë, pavarësisht krizës së pandemisë. Madje, kartat ishin nga ato instrumente pagesash që morën më shumë shtysë nga pandemia, sidomos në periudhën e vendosjes së kufizimeve. Sipas Bankës së Shqipërisë, numri i veprimeve me kartë u rrit me 37% vitin e kaluar.
Numri i përgjithshëm i kartave të pagesave dominohet nga kartat e debitit, me 85.6% të totalit. Kartat e debitit janë karta të lidhura me llogaritë rrjedhëse, përmes të cilave klienti mund të përdorë fondet e llogarisë së vet për tërheqje cash në bankomat, apo përmes blerjeve direkte në terminalet fizike apo virtuale të pagesave.
Një sinjal pozitiv në tremujorin e parë është rikthimi i rritjes së kartave të kreditit. Në fund të muajit mars, numri i tyre arriti në 118 mijë, me rritje prej 8% që nga fillimi i vitit.
Kartat e kreditit ishte një nga produktet e pagesave që u ndikuan negativisht nga kriza, me një rënie prej 4.3% gjatë vitit 2020. Te ky produkt pasojat e pandemisë u ndien më shumë, sepse përdorimi i tyre është shumë i lidhur me turizmin dhe udhëtimet. Rënia drastike në udhëtimet mes shteteve ka bërë që shumë karta krediti të mos rinovohen ose të mbyllen, sepse përdoruesit e tyre nuk i kanë vlerësuar më si të domosdoshme.
Me rritjen e numrit të kartave aktive, bankat kanë vazhduar të zgjerojnë edhe rrjetin e pajisjeve ATM. Numri i tyre në fund të tremujorit të parë arriti në 751, në rritje me 1.8% krahasuar me fundin e vitit të kaluar dhe 6.1% krahasuar me një vit më parë. Pandemia ndikoi ndjeshëm në rritjen e investimeve të bankave në pajisje ATM, me qëllim uljen e fluksit të kluientëve në degë për veprime cash.
Deri në 2019-n, numri i tyre ishte pakësuar për shtatë vite radhazi, për shkak të tkurrjes së rrjetit të bankave, por edhe uljes së numrit të tyre, në procesin e shitblerjeve dhe bashkimeve që nisi në vitin 2015. Vitin e kaluar, bankat nisën përsëri shtimin e numrit të terminaleve ATM, kryesisht përmes vendosjes së ATM-ve jashtë dege.
Ndërkohë, në tremujorin e parë është vërejtur frenim në rritjen e numrit të terminaleve të pagesave autoamtike POS. Numri i tyre ra në më pak se 12 mijë, nga rreth 12 150 që kishte qenë në fund të vitit të kaluar. / E.Shehu/MONITOR