Raporti europian/ Përmirësohet cilësia e ujërave të deteve, zonat më problematike, si krahasohemi me shtetet e tjera

0

Shqipëria është kthyer vitet e fundit në një magnet për turistët e huaj. Pas kufizimeve të pandemisë në 2020-n, ky vit pritet sërish që të tërheqë më shumë turistë, kryesisht nga rajoni dhe Europa Lindore.

Krahas rimëkëmbjes së turizmit, një tjetër lajm i mirë është përmirësimi i cilësisë së ujërave që shërbejnë për të bërë banjo (dete e liqene). Sipas një raporti të fundit të Agjencisë Europiane të Mjedisit, 76.5% e totalit të ujërave që shërbejnë për të bërë banjo ishte e shkëlqyer në vitin 2020, në krahasim me 58.8% në vitin 2019.

Përmirësimin më të madhe e ka shënuar cilësia e ujërave bregdetare nga 53.9%, në 77.9%.

Vetëm 3.5% e ujërave në bregdet ka një cilësi të dobët, nga 11.8% në vitin 2017.

Zonat ku cilësia e ujërave është e dobët janë kryesisht në Durrës, Vlorë, Sarandë në pjesët e qytetit (shiko hartën, ku pikat e kuqe tregojnë zonat që kanë cilësi të keqe të ujërave). Durrësi, sipas hartës së publikuara nga Agjencia Europiane e Mjedisit, ka dy pika të kuqe, një përpara se të shkosh në Currila dhe tjetra afër Shkëmbit të Kavajës.

Cilësi të shkëlqyer të ujërave kanë zona të tilla si Dhërmiu, Gjiri i Lalzit, Tale, Orikum, Palasë, Livazh, Kavajë, Seman, Zvërnec, Velipojë, Shëngjin, Qeparo, Ksamil.

Në liqene, Pogradeci raportohet me cilësi të mirë dhe të dobët, Tushemishti me cilësi të mirë.

Pavarësisht përmirësimit cilësia e ujërave në Shqipëri vijon të jetë ndër më të këqijat në Europë. Më të pastra ato janë në Qipro, ku 100% e ujërave kanë cilësi të shkëlqyer, të ndjekura nga Malta me 96.6%.

Në Kroaci, 96.5% e ujërave kanë cilësi të shkëlqyer, në Francë 77.5%, në Greqi 97.1%, në Itali 88.6%, në Portugali 89.2%, në Spanjë 88.5%.

Me keq në Europë renditet Bullgaria, ku vetëm 60% e ujërave ka cilësi të shkëlqyer, Estonia me 62.5%, Irlanda me 75%, Letonia me 68.4%. Holanda me 73.8%, Rumania 70%.

Grafiku: Cilësia e ujërave në Shqipëri

Artikulli i mëparshëmJa momenti kur plagoset i ‘forti’ i Vlorës/ E gjithë ngjarja u zhvillua në sy të fëmijëve
Artikulli i radhësCoronaVac përdoret edhe në Shqipëri, OBSH miraton për përdorim emergjent vaksinën