Gjatë dy viteve të fundit, politologët kanë pyetur nëse është e arsyeshme të diskutohet për Luftën e Re të Ftohtë, midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kinës.
Tani ekziston një konsensus mbi pohimin se klima është e ngjashme me atë që përfshiu amerikanët dhe sovjetikët për dekada.
Atëherë, mbizotëroi ekuilibri i terrorit dhe dy superfuqitë kurrë nuk luftuan drejtpërdrejt. Por strategët, tani po mendojnë se kush do ta fitojë një “luftë të nxehtë” midis Pentagonit dhe Ushtrisë Popullore Çlirimtare të Pekinit.
Admirali James Stavridis, i cili e përfundoi karrierën e tij si Komandant Suprem i NATO-s, pasi kaloi shumë vite në Paqësor, shpjegon: “Sigurisht, askush në të vërtetë nuk fiton një luftë të madhe… por mënyra më e mirë për të shmangur konfliktin, është të bindësh armikun e mundshëm që do të kishte shumë për të humbur, sigurisht duke qenë humbësi kryesor”.
Çfarë mund ta shkaktojë një konflikt?
Stavridis, i cili shkruan komente për japonezen “Nikkei”, ka paralajmëruar prej kohësh se shkëndija e një konfrontimi të armatosur mund të jetë në Tajvan, të cilin presidenti Xi Jinping ka premtuar ta “ribashkojë” me Kinën me çdo mjet, politik ose ushtarak.
Buxhetet ushtarake
Për të vlerësuar shanset e suksesit të të dy palëve, admirali fillon nga një krahasim i buxheteve ushtarake: “SHBA-të janë transparente, të paktën në terma dollarësh. Shpenzimet e mbrojtjes në vitin fiskal 2020, ishin 714 miliardë dollarë dhe duhet të rriten në 733 në vitin 2021. Shpenzimet kineze janë më të errëta, por sigurisht më të ulta, zyrtarisht me 212 miliardë dollarë”.
Sidoqoftë, Pekini nuk ka pse të zbresë shpenzimet për personelin, siç bën Uashingtoni, i cili ka vetëm ushtarë profesionistë, të paguar mirë. Përveç kësaj, ndërsa Pentagoni luan përtej bordit, nga Evropa në Lindjen e Mesme, nga Atlantiku në Paqësor, Ushtria Kineze është përqendruar në Azinë Lindore, porta e shtëpisë. “Pra, në terma të përgjithshëm të burimeve ekonomike, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kanë një avantazh, por jo aq dërrmues sa duket nga bilancet e gjendjes.”
Vendosjet
Stavridis kalon në një analizë të shpejtë të vendosjeve në teatrin e operacioneve të mundshme: për sa i përket anijeve luftarake, Kina ka avantazhin, me 350 njësi kundrejt 300 dhe kantieret e saj të anijeve vazhdojnë të punojnë, veçanërisht me silurë të tonazhit të vogël.
Me kompetencën dhe krenarinë e një admirali, Stavridis vëren se “anijet amerikane janë më të mëdha dhe të pajisura me sisteme më të mira sulmuese dhe mbrojtëse, të operuara nga personel me përvojë të madhe”. Edhe “komanda dhe kontrolli” i SHBA-ve, do të ishte gjithashtu më superior se ai i Kinës, i aftë për të koordinuar më mirë veprimin e flotave detare dhe ajrore. “Kina mund të ketë një avantazh të vogël numerik, por Amerika ka cilësinë më të mirë”.
Faktori gjeografik dhe aleancat
Faktori gjeografik do të ndihmonte kinezët, të cilët gjithashtu kanë ngritur një seri postash në Detin e Kinës Jugore, të krijuar nga ndërtimi i ishujve artificialë.
Janë rreth dhjetë prej tyre dhe në vizionin e Pentagonit ata janë si aeroplanmbajtës të palëvizshëm: për t’i “fundosur” në rast lufte, Korpuset Detare po studiojnë taktika të reja luftarake që përfshijnë sulme të sofistikuara.
Në numrin e aleancave të luftës, Uashingtoni mund t’i besojë Japonisë, Koresë së Jugut, Australisë (për sa kohë që ata nuk ishin të frikësuar nga Pekini). Kina është më e izoluar, pavarësisht marrëdhënieve me Rusinë dhe Iranin.
Përfundimi i Stavridis
Përfundimi i admiralit Stavridis është i qartë: “Unë do të preferoja ta luaja lojën si një komandant amerikan, por do të ishte një përballje kokë më kokë”. Georges Clemenceau, i njohur si “Il Tigre”, kryeministri francez gjatë Luftës së Parë Botërore, argumenton: “Lufta është një çështje shumë serioze për t’iu besuar ushtrisë”.(SI)