Zëdhënësi i departamentit të urgjencës iraniane njoftoi se të mërkurën me 2 qershor një zjarr i përmasave të mëdha shpërtheu në një rafineri iraniane të naftës në jug të Teheranit.
Deri më tani nuk ka pasur raportime për viktima apo të plagosur, pasi shërbimet e urgjencës dhe zjarrfikësit bënë të mundur mbajtjen e flakëve nën kontroll, shkruan CNN.
Kreu i Zyrës Provinciale të Menaxhimit të Krizave të Teheranit tha se një rrjedhje në një tubacion të gazit të lëngshëm në strukturë shkaktoi zjarrin, megjithatë hetimet do të vijojnë.
Videot e postuara në mediat sociale treguan për një tym të dendur që qarkullonte në zonat jugore të kryeqytetit iranian.
Ndërkohë, agjencia gjysmë-zyrtare iraniane e lajmeve Tasnim tha se të gjitha operacionet ishin pezulluar në rafinerinë Tondgooyan.
Ky incident erdhi vetëm disa orë, pasi një prej anijeve më të mëdha në marinën iraniane mori flakë dhe u fundos në Gjirin e Omanit.