Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli, priti në një takim autoritetet e “Border Force International”, të Britanisë së Madhe, në kuadër të bashkëpunimit që kanë autoritetet doganore me Border Force International. Në kuadër të kësaj vizite Autoritetet e Border Force International i dhuruan Administratës Doganore Shqiptare tre pajisje kontrolli “Agilent”, në funksion të luftës kundër trafiqeve të paligjshme.
Agilent Technologies udhëheq industrinë me instrumente të fuqishëm që ofrojnë aftësinë për të konfirmuar dhe vlerësuar mijëra substanca narkotike.
Por si funksionon?
Analizuesi i substancave të ndryshme quhet “Handheld Raman” dhe identifikon mijëra substanca narkotike dhe kimike që mund të jenë të paketuara në materiale të ndryshme. Me pak fjalë me anë të kësaj pajisje, pakot e dyshuara nuk kanë nevojë që të hapen, por me një skanim të thjeshtë të “Raman”, mund të zbulohet çfarë ka brenda tyre.
Raman i prodhuar nga kompania gjigante “Agilent” mundëson identifikimin e shpejtë të eksplozivëve, narkotikëve, kimikateve toksike industriale, agjentëve kimikë të luftës dhe materialeve të tjerë edhe përmes kontejnerëve të mbyllur e të paqartë për tu zbuluar me sy të lirë.