Drejtuesit e drejtorive vendore të Policisë dhe shefat e komisariateve janë mbledhur para dy ditësh me urgjencë në Drejtorinë e Policisë në Tiranë, nga Ardi Veliu në lidhje me ngjarjet kriminale që kanë ndodhur në vendin tonë.
Mësohet se gjatë takimit të mbajtur në Tiranë, kryepolici Ardi Veliu u ka dhënë tre urdhra vartësve të tij.
Euroneës Albania ka mësuar ekskluzivisht përmbajtjen e kësaj qarkoreje të përbërë nga tre pika ku vihet re se kryepolici kërkon nga shefat e komisariateve por dhe drejtuesit e Policisë një angazhim të shtuar në territoret që mbulojnë me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale në vend.
– Shefat e komisariateve nuk do largohen nga territori para orës 22:00;
– Të listohen lokalet dhe ambientet që frekuentohen nga elementi kriminal;
– Shërbimet e forcave operacionale të mbajnë në vëzhgim elementin kriminal me prirje në fushën e krimeve ndaj jetës.
Kjo qarkore vjen në një kohë kur drejtori i përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu paralajmëroi se qëndrimi i mëtejshëm në detyrë i secilit drejtues do te varet nga reagimi i strukturave që kanë në varësi përballë veprimtarisë kriminale. Veliu kërkon që të gjitha strukturat të jenë në gatishmëri në terren.