Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) i është përgjigjur maturantëve, të cilët u ankuan se testi i matematikës ishte shumë i vështirë. Në një deklaratë për mediat, QSHA qetësoi maturantët, duke thënë se nuk ka vend për panik dhe se testi nuk kishte pyetje jashtë programit orientues të maturës shtetërore.
Më tej, Qendra e Shërbimeve Arsimore deklaroi se teza e provimit të djeshëm ishte e ngjashme me atë të zhvilluar në maj, duke shtuar se nxënësit e mirë nuk kanë hasur vështirësi.
“Testi i matematikës është në përputhje me programin orientues të vitit 2021. Testi përmban pyetje të 3 niveleve. Në nivelin 3 jemi kujdesur të mos kemi pyetje që maturantë i kanë zhvilluar online. Sot ka filluar procesi i korrigjimit. Skema e vlerësimit nuk është strikte për korrigjuesit. Nuk ka vend për t’u shqetësuar.
Për dallimin mes 9 dhe 10 ka pyetje të nivelit të 3. Modeli i dhënë në maj 2021, para se të zhvillohej testi, ishte shumë i ngjashëm me testin e djeshëm. Nuk kishte elemente jashtë modelit. Nuk ka asnjë pyetje jashtë programit orientues të maturës shtetërore. Matematikë është shkencë ekzakte, por nuk ka vend për panik. Teza nuk hartohet një javë para, por studiohet . Nxënësit e mirë nuk kanë patur vështirësi gjatë provimit. Jemi të hapur të bisedojmë dhe të qetësojmë maturantët.”