Zaimi për hekurudhën Shqipëri-Greqi: Investimet në infrastrukturë tregojnë prirjet gjeopolitike

0

Anëtari i Lëvizjes Vetvendosje Arbër Zaimi ka komentuar prioritetin infrastrukturor të qeverisë socialiste për lidhjen hekurudhore mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Sipas tij, investimet në infrastrukturë ndërshtetërore tregojnë edhe prirjen gjeopolitike të qeverisë.

Zaimi kritikon qeverinë për moszbatim të marrëveshjeve me Kosovën në këtë aspekt.

“Në kongresin e PS u tregua se prioritet infrastrukturor i qeverisë socialiste, është lidhja hekurudhore e Shqipërisë me Greqinë, e cila qenka gati për t’u kryer (Pogradec-Kristalopigji).

Dy probleme:

1. Linja e Kristalopigjisë është një degëzim i hekurudhës Aleksandrupoli-Igumenicë, e pagëzuar “Egnatia Railway”. Ky projekt i shtetit grek është zhvilluar kryekëput si konkurrent i projektit për Korridorin Paneuropian 8. Korridori 8 nuk i intereson Greqisë, sepse lidh Detin e Zi me Adriatikun. Greqisë i interesonte ruajtja e hegjemonisë së Selanikut, pra Korridori Paneuropian 10, si edhe kjo rrugë “paralele” me Korridorin 8 e cila kalon e gjitha nëpër Greqi, me ndonjë degëzim periferik në Pogradec. Nga ana tjetër, Korridori 8 i intereson shumë Shqipërisë, si në aspektin gjeostrategjik (ringjall e faktorizon shqiptarët në Maqedoni, forcon lidhjen Bullgari-Shqipëri, dhe rrit peshën specifike të portit tonë në Adriatik), ashtu edhe në atë ekonomik. Ja që, qeveria Rama e paska braktisur interesin vendor (çudi e madhe?).

2. Ndër shumë marrëveshje spektakolare, nënshkruar me fanfara, flamuj kombëtarë e shqiponja gishtash, mes Shqipërisë e Kosovës, është edhe një memorandum i nënshkruar para tetë muajsh për hekurudhën Prishtinë-Durrës. Kuptohet, këto marrëveshje bëheshin sa për imazh, se kurrë nuk zbatoheshin, Tirana ia linte fajin Prishtinës, Prishtina Tiranës e kështu me radhë. Por pas shkurtit 2021, në Prishtinë ekziston një vullnet për punë dhe zbatim të marrëveshjeve. Pse nuk shfaq tash interes për realizimin e zotimeve të veta qeveria Rama? Apo zotimet për hekurudhën Shqipëri-Kosovë ishin të planifikuara për të mos u marrë seriozisht, e interesi real ishte në lidhjen me Greqinë?

Investimet në infrastrukturë ndërshtetërore tregojnë edhe prirjen gjeopolitike të një qeverie”, shkruan Arbër Zaimi.

Artikulli i mëparshëmFOTOT prekëse: Gruaja e Eriksen zbret në fushë, ndërsa i shoqi ra pa ndjenja dhe luftonte për jetën
Artikulli i radhësShpërndante kokainë në ambiente argëtimi, arrestohet efektivi i “Shqiponjave” në Sarandë