Cristiano Ronaldo është një nga lojtarët më të mirë dhe më të paguar në botë, ndaj çdo gjest apo fjalë e tij, ka një ndikim të madh global.
E tillë ishte edhe ajo e djeshmja, ku gjatë konferencës për shtyp në lidhje me ndeshjen ndaj Hungarisë për Euro 2020, portugezi hoqi dy shishet e Coca Cola-s, sponsor i kampionatit Evropian, duke i zëvendësuar me një shishe ujë.
Ky veprim i tij, pati një ndikim negativ në kompaninë amerikane, shkruan gazeta spanjolle Marca. Disa minuta pas konferencës së Ronaldos dhe trajnerit Fernando Santos, kompania e pa veten me humbje marramendëse.
Në 3:00 pasdite në Evropë, aksionet e Coca Cola ishin afër 56.10 dollarë për aksion. Gjysmë ore më vonë, me përfundimin e konferencës në stadiumin Puskas Ferenc në Budapest, aksionet ranë në 55,22 dollarë.
Një rënie brutale prej 1.6% për kompaninë në bursë pasi vlera e kompanisë shpejt kaloi nga 242 miliardë dollarë në 238 miliardë dollarë. Humbjet totale për kompaninë pas gjestit të Cristiano Ronaldos vlerësohen të jenë 4 miliardë dollarë.