Qeveria e re pritet të dekretohet nga Gramoz Ruçi/ Pas shkarkimit të Metës frenat e Presidencës do t’i marrë kreu i Kuvendit

0
Qeveria e re pritet të dekretohet nga Gramoz Ruçi, pas shkarkimit

Qeveria e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit pritet të dekretohet nga Gramoz Ruçi. Kuvendi dërgoi dje në Kushtetuese vendimin për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra dhe sipas burimeve brenda korrikut ky proces do të jetë mbyllur. Por çfarë ndodh pas shkarkimit të Metës? Një shembull konkret ka ardhur nga Kosova. Pas arrestimit të Hashim Thaçit nga Haga, kryetarja e Kuvendit atje mori frenat e Presidencës. Edhe në vendin tonë do të ndodhë e njëjta gjë. Pra Gramoz Ruçi pritet të marrë në mënyrë të përkohshme funksionin e presidentit. Edhe pse ai deklaroi se do të tërhiqet nga politika, duket se karrierën do e mbyllë duke u bërë president edhe pse për pak kohë. Neni 91 i Kushtetutës e bën shumë të qartë këtë pjesë. “Kur Presidenti i Republikës është në pamundësi të përkohshme për të ushtruar funksionet e tij ose kur vendi i tij mbetet vakant, Kryetari i Kuvendit zë vendin dhe ushtron kompetencat e tij. Në rast se Presidenti nuk mund të ushtrojë detyrën për më shumë se 60 ditë, Kuvendi, me dy të tretat e të gjithë anëtarëve, vendos dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, e cila vërteton përfundimisht faktin e pamundësisë. Në rast të vërtetimit të pamundësisë, vendi i Presidentit mbetet vakant dhe zgjedhja e Presidentit të ri fillon brenda 10 ditëve nga dita e vërtetimit të pamundësisë”, thuhet në Kushtetutë.

Skenarët

Shkarkimi i presidentit me shumë mundësi vendoset në fund të korrikut. Duke qenë se muaji gusht është pushim dhe Parlamenti e ka mbyllur legjislaturën, por duke qenë se mazhoranca ka deklaruar se do të kërkojë konsensus me opozitën, presidenti i ri do të zgjidhet në shtator. Pra kjo do të thotë se qeverinë e re do e dekretojë Gramoz Ruçi. Frika e mazhorancës aktuale është se presidenti Meta mund të krijojë probleme në shtator. Duke qenë se ai u shkarkua nga Parlamenti dhe po ashtu duke qenë se nuk njeh 25 prillin me shumë mundësi do të kemi një konflikt institucional nëse Meta mbetet në detyrë. Kushtetuta e përcakton se qeveria e re dekretohet nga Presidenti dhe nëse ai nuk e ndërmerr këtë hap do kemi përplasje. Kuvendi i ri mund të konstituohet, por pa u bërë betimi në Presidencë qeveria nuk fillon dot punë. Por me shkarkimin e Metës të gjitha këto pritet të tejkalohen pasi këtë detyrë mund ta ushtrojë Ruçi. Ky i fundit deklaroi se do të largohet nga politika, por nëse Kushtetuesja e mbyll shkarkimin e Metës brenda korrikut, atëherë Ruçi do të largohet nga politika si president në detyrë. Ndërkohë zgjedhja e presidentit të ri do i hapë rrugë bashkëpunimit PS-PD, për të mos thënë se do të jetë hapi i parë. Rama dhe përfaqësues të mazhorancës janë shprehur disa herë se do të kërkojnë konsensus me opozitën. Sipas informacioneve pasuesi i Metës pritet të jetë një figurë jashtë politikës, me qëllim që të rikthehet integriteti në krye të institucionit dhe të mos përsëriten më skenat aktuale.

Artikulli i mëparshëm“Më arrestoi padrejtësisht”, shqiptari masakron me shufër hekuri policin grek në mes të plazhit
Artikulli i radhësPlas grushti në mes të plazhit, karriget “fluturojnë” mbi kokat e pushuesve (VIDEO)