Çështjet mund të jenë të vështira, por ambienti do të jetë i gjelbër dhe i qetë, presidentët e Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë do të takohen nesër në një rezidencë të shekullit të 18-të me pamje nga Liqeni i Gjenevës.
Takimi i parë i Joe Biden që prej marrjes së detyrës në janar me Presidentin rus Vladimir Putin pritet të zgjasë 4-5 orë ose edhe më gjatë, pasi ata do të diskutojnë kontrollin e armëve, sulmet kibernetike dhe ndërhyrjet në zgjedhje.
Një tregues i marrëdhënies së tensionuar midis të dy palëve është fakti që nuk do të ketë drekë dhe të dy udhëheqësit do të japin konferenca të veçanta shtypi, në vend të një të përbashkëte.
“Ata nuk do të bien dakord” u tha një zyrtar i lartë amerikan gazetarëve ndërsa Biden fluturoi për në Gjenevë.
Putini do të jetë i pari që do të mbërrijë në rezidencë, ku të dy udhëheqësit do të takohen me Presidentin zviceran Guy Parmelen, përpara se të fillojnë bisedat e tyre në bibliotekën me histori, libra të shkruar në gjuhët kineze, frëngjisht dhe persisht apo turqisht.
Midis mijëra autorëve, veprat e të cilëve mbahen në rezidencë është Charles Picté de Rosmon, diplomati zviceran që hartoi deklaratën e Zvicrës për neutralitetin – një nga arsyet e mundshme pse Gjeneva u zgjodh për këtë Samit.
Biden dhe Putin do të shoqërohen nga Sekretari i Shtetit i SHBA Anthony Blinken dhe Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov, si dhe përkthyes dhe delegacionet.
Në qytetin zakonisht të qetë do të vendosen 3000-3500 policë dhe agjentë të shërbimeve të sigurisë.