Policia e Vlorës ka vijuar me operacionin për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Kështu si rezultat i kontrolleve janë evidentuar dhe goditur dy raste të aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit. Për këtë janë proceduar penalisht dy pronarë lokalesh, ndërsa janë sekuestruar 20 pajisje elektronike.
Personat akuzohen për “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.
“Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë është bërë i mundur evidentimi dhe goditja e dy rasteve të ushtrimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit në qytetin e Vlorës. Gjatë kontrolleve u gjetën dhe u sekuestruan 10 pajisje elektronike në gjendje pune në lokalin e shtetasit E. SH, në lagjen “24 Maji” dhe 10 pajisje elektronike në gjendje pune në lokalin e shtetasit A. A, në lagjen “1 Maji”, ku dyshohej se ushtrohej aktivitet i kundërligjshëm i lojërave të fatit.
Në përfundim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit E. Sh., 23 vjeç dhe A. A., 30 vjeç, të dy banues në Vlorë, për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, thotë policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.