Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një 61-vjeçar. Ai akuzohet për ngacmim seksual ndaj të miturave.
Mësohet se 61-vjeçar nga fshati Erind në Gjirokastër është ndaluar sot në mëngjes nga policia, pas një denoncimi për ngacmim seksual, ardhur nga dy familje të këtij fshati njëkohësisht fqinje të tij por edhe në marrëdhënie krushqie me të.
Autori i dyshuar besohet sipas familjeve që e kanë denoncuar se ka ngacmuar tri vajza të mitura përkatësisht të moshës 7, 8 dhe 14 vjeç. Ishte fëmija 7 vjeç e cila ja ka bërë me dije e para familjes së saj dhe më pas janë inkurajuar edhe fëmijët e tjerë për të pohuar ngacmimet. Vajza 14 vjeçare ka pohuar edhe para policisë, në prani të psikologëve se ngacmohej prej gati 5 vitesh.
Nga sa është mësuar nga nëna e 2 prej vajzave besohet se ato janë ngacmuar në shtëpinë e autorit që e vizitonin shpesh për shkak të lidhjeve mes familjeve, lojës me fëmijë të tjerë dhe shkëmbimeve. Banesat gjenden vetëm 10 m larg njëra tjetrës.
Nënat e fëmijëve po përpiqeshin prej 10 ditësh të mësonin më shumë nga fëmijët e tyre para se të kryenin denoncimin për pedofili. Ato kanë ngritur dyshime se edhe fëmijë të tjerë mund të jenë ngacmuar.