Studimi / Ana e errët që mund të ekzistojë në detyrimin e qytetarëve për t’u vaksinuar

0

A duhet qeveritë t’i detyrojnë qytetarët e tyre të vaksinohen? Kjo është pyetja më me vend në situatën pandemike që po kalojmë, por sipas një studimi të ri, t’i detyrosh qytetarët që të bëjnë dozat e vaksinave mund të kthehet në diçka kundër produktive.

Studimi u bazua në anketat e plotësuara nga 2,653 gjermanë si gjatë valës së parë ashtu edhe saj të dytë të pandemisë, duke analizuar sesi ndryshuan qëndrimet e tyre me kalimin e kohës gjatë vitit 2020.

Pavarësisht se normat e infektimit ishin 15 herë më të larta në Gjermani gjatë valës së dytë në tetor dhe nëntor, të dhënat treguan se rezistenca ndaj vaksinimeve të detyrueshme ishte rritur nga vala e parë në prill dhe maj.

Të anketuarit u pyetën se sa ishin mundësitë që ata të vaksinoheshin, bazuar në faktin nëse vaksinat ishin të detyrueshme apo jo. Gjatë të dyja valëve të pandemisë, gjasat që njerëzit të vaksinoheshin ishin më të larta kur një proces i tillë nuk ishte i detyrueshëm, por hendeku ishte më i madh gjatë valës së dytë.

“Këto gabime të kushtueshme mund të shmangen nëse politikëbërësit reflektojnë me kujdes mbi pasojat e detyrimit të popullsisë për t’u vaksinuar”, thotë ekonomisti Samuel Bowles nga Instituti Santa Fe. “Këto jo vetëm që mund të rrisin refuzimet për t’u vaksinuar, por gjithashtu rrisin konfliktin shoqëror duke armiqësuar më tej qytetarët me qeverinë apo elitat shkencore dhe mjekësore”.

Studiuesit gjithashtu theksuan faktin se niveli i besimit që qytetarët kanë në institucionet publike luan një rol shumë të rëndësishëm në drejtim të marrjes së vendimit për t’u vaksinuar. Dyshimet në lidhje me efektivitetin e vaksinave dhe kundërshtimi ndaj kufizimeve të lirisë personale ishin gjithashtu të lidhura ngushtë me marrjen e vendimit për t’u vaksinuar apo jo.

Ekipi që realizoi këtë studim thekson faktin se vaksinat janë vullnetare, më shumë njerëz janë të bindur dhe të prirur t’i bëjnë ato, kjo edhe për arsyen e thjeshtë se shikojnë se edhe shumë nga rrethi i tyre shoqëror po i bën ato. Kur vaksinat janë të detyrueshme, një gjë e tillë nuk ndodh dhe ky efekt i valëzimit zvogëlohet.

Ky efekt i valëzimit është i ngjashëm me përhapjen e teknologjive të reja, si TV dhe makinat larëse kur u prezantuan për herë të parë. Sa më shumë njerëz i marrin ato, gjithnjë e më shumë do të rritet numri i njerëzve që duan të kenë po të njëjtat gjëra.

Studiuesit gjithashtu pohojnë faktin se detyrimi i njerëzve për t’u vaksinuar ul besueshmërinë tek agjencitë përkatëse, sepse nëse vaksina është e sigurt dhe efektive, pse është i nevojshëm pastaj detyrimi i qytetarëve që të vaksinohen?

Katrin Schmelz, psikologe dhe profesore e Ekonomisë së sjelljes në universitetin Konstanz në Gjermani dhe z.Bowles pranojnë faktin se vaksinat e detyrueshme mund të luajnë një rol më të madh në varësi të shteteve dhe situatave të caktuara, për shembull nëse përqindjet e vaksinimit janë veçanërisht të ulëta, por ata thonë se kjo qasje duhet të përdoret me shumë kujdes. / Science Alert

Artikulli i mëparshëmPandemia godet fort Shkodrën, me mbylljen më të madhe të bizneseve më 2020
Artikulli i radhësSpartak Ngjela lëshon ‘BOMBËN’ për Lulzim Bashës: Ka procese penale në SHBA, ja mesazhi i ambasadores Yuri Kim