3 muaj më parë u dënua për korrupsion, Rama i shkon Sarkozy në shtëpi: E kam këshilltar

0

Kryeministri Edi Rama ka zbuluar një takim në Paris me ish-presidentin francez Nicolas Sarkozy. Sipas Ramës takimi u zhvillua në shtëpinë e këtij të fundit teksa shefi i qeverisë shqiptare thotë se ka privilegjin që të këshillohet prej tij.

“Me një mik special në shtëpinë e tij në Paris, presidentin Nicolas Sarkozy, me të cilin kam privilegjin të këshillohem për sfidat e Shqipërisë dhe rajonit tonë, në rrugën e zhvillimit ekonomik e social, e të integrimit europian” – shkruan Rama në platformën sociale Facebook.

Sarkozi qëndroi si President i Francës nga viti 2007 deri në 2012-ën kur u mund me me një rezultat të ngushtë nga François Hollande. Pas një tentative të dështuar për tu rikthyer në jetën politike në 2016-ën, Sarkozy vijon vetëm angazhimet private, por edhe proceset që janë hapur ndaj tij.

Ai u akuzua për korrupsion nga prokurorët francezë në dy çështje, veçanërisht në lidhje me pretendimin e ndërhyrjes libiane në zgjedhjet franceze të 2007-ës. Sarkozy u akuzua se ka marrë miliona nga diktatori i atëhershëm libian Moammar Gadhafi për të financuar në mënyrë të paligjshme fushatën e tij në 2007.

Në 1 mars 2021, një gjykatë e Parisit shpalli fajtor ish-presidentin francez për korrupsion dhe shfrytëzim të postit dhe e dënoi atë me 1 vit burgim dhe 2 vjet me kusht.

Politikani 66-vjeçar u dënua për përpjekjen për të marrë në mënyrë të paligjshme informacion nga një gjykatës. Gjykata tha se Sarkozy ka të drejtë të kërkojë ta kryejë dënimin në shtëpi duke mbajtur një byzylyk elektronik. Ai e ka apeluar ndërkohë vendimin dhe dënimi është pezulluar deri në një formë të prerë.

Ishte hera e parë në historinë moderne të Francës që një ish-president dënohet për korrupsion.


Artikulli i mëparshëmQeveria shqiptare miraton një tjetër marrëveshje sekrete me Pfizer
Artikulli i radhësAksion i madh anti-drogë, Prokuroria e Tiranës firmos 10 urdhër-arreste