Avokati Spartak Ngjela ka komentuar rezultatin e zgjedhjeve të PD-së. Sipas Ngjelës PD-ja vazhdon që të jetë ende pronë e Sali Berishës.
“Nuk është parti konkurruesish, ajo është pronë. Pronë e Saliut. Saliu nuk e ka lënë partinë. Ajo është një pronë e tij, njësoj si partia e Enver Hoxhës. Me të njëjtën metodë, me të njëjtën mënyrë, jashtë sensit të zhvillimit kombëtar. Vetëm në funksion të pushtetit të tij dhe eliminimit të kundërshtarëve brenda.”, tha Ngjela në emisionin ‘Spotlight’.
Ndër të tjera, Ngjela shtoi se Rama di shumë për Berishën, por i intereson ta mbajë në politikë, ndaj nuk e denoncon.
“Nuk i bën luftëra politike atje ku ai shkel. Pse, pak gjëra di Rama për të? Pse s’i denoncon? Nuk ka rëndësi, është brenda politikës Rama. Derisa ai rri dhe nuk ka vota, natyrisht që nuk vjen dot e djathta në pushtet. As mos e diskuto. Ata po të ndërrojnë lidershipin, me një lidership intelektualist, të nivelit të lartë, për 4 muaj rrëzohet Rama. Po ata nuk e duan atë, se tani nuk kanë hyrë për pushtet, tani janë në skemë për të shpëtuar nga Reforma në Drejtësi dhe Antikorrupsion.”, u shpreh Ngjela.
Berisha, sipas avokatit, është tashmë në trenin ‘skëterrë’ duke qenë në luftë me SHBA-në.
“Berisha është në trenin për në skëterrë. Sepse, nuk di të mbrohet dhe është në luftë me SHBA-në. Këta janë të kërcënuar nga korrupsioni dhe i kanë sytë te Lindja.”, tha Ngjela.