Pak përpara mbylljes së kufijve ajrorë nga pandemia në mars të vitit të kaluar, çmimet e biletave nga Rinasi kishin shënuan një rënie të ndjeshme për shkak të rritjes së konkurrencës.
Drejt Italisë, apo Vjenës biletat u ulën edhe në 15-20 euro për një drejtim, nga operatorët me kosto të ulët si Wizz Air dhe Easyjet. Hyrja e tyre detyroi dhe kompanitë e tjera të ofronin bileta më të lira.
Kufizimet e pandemisë e ndryshuan tërësisht tregun ajror në gjithë botën dhe në Shqipëri. Pesha e Italisë ra dhe gradualisht u zgjeruan destinacione të reja.
Ditën e djeshme, pas 16 muaj kufizimesh, Qeveritë e Bashkimit Europian ranë dakord të shtojnë në listën ku lejohen udhëtimet jo-thelbësore tetë vende e territore, ku mes tyre është edhe Shqipëria. Vendet në mënyrë individuale mund të zgjedhin të kërkojnë një test negativ të Covid-19 ose një periudhë karantine, ose nëse do të njohin vaksinat kineze e ruse, krahas atyre të miratuara nga Agjencia Europiane e Barnave (Pfizer, Moderna, Astra Zeneka, Johnson&Johson).
Por, tashmë që rrugët po hapen, biletat nuk janë më aq të lira sa më parë, sidomos në muajt që nuk është kulmi i sezonit. Bileta me çmim 15-20 euro vështirë se gjen më. Monitor ka bërë një vëzhgim në faqet e kompanive të fluturimeve që ofrojnë fluturime direkte, për vajtje rreth datës 2 gusht dhe kthim rreth datës 6 dhe në shtator (sezon i ulët) për çmimet e biletave vajtje-ardhje në 20-24 shtator.
Në gusht, për shkak të kërkesës së lartë çmimet janë më shtrenjtat e gjithë vitit.
Me Wizz Air, në Milano Malpensa, për datat 2 dhe 6 gusht, bileta vajtje ardhje kushton 210 euro. Biletat për këtë destinacion janë më të lira në 20-24 shtator, me 65 euro.
Me Wizz Air, Roma destinacion i ri në aeroportin e Ciampinio, në datat 2 dhe 6 gusht bileta vajtje ardhje kushton 120 euro, në shtator 100 euro. Në qershor mund të gjeje bileta në këtë destinacion me 20 euro një drejtim.
Me Air Albania në të njëjtat data, fluturimi vajtje ardhje në Romë kushton 139 euro.
Londra vajtje- ardhje kushton 200 euro në gusht, me Wizz Air, ndërsa në shtator çmimet ulen në 125 euro. Me Albawings, Londra (Stansted) është e arritshme për 225 euro në gusht (datat 4 dhe 8).
Në Stokholm Skavsta, në datat 3 dhe 7 gusht bileta vajtje-ardhje kushton 200 euro, në shtator 160 euro, me Wizz Air.
Vjena dy herë në javë me Wizz, në gusht (2 dhe 6) kushton 135 euro, rreth të njëjtave nivele edhe në shtator, në tetor arrin 150 euro (para pandemisë Vjena zbriti në 20 euro një drejtim me Wizz Air)
Stambolli me Air Albania kushton 109 euro në gusht (dy drejtime), në shtator zbret në 96.5 euro.
Drejt qyteteve gjermane, biletat në gusht (vajtje-ardhje) kushtojnë mbi 200 euro, ndërsa në shtator ulen në rreth 150 euro.
Moska, destinacioni i ri, mbi 600 euro
Tirana International Airport njoftoi se nga data 20 Qershor 2021, fillojnë fluturimet direkte me Tiranën dhe Moskën një herë në javë me kompaninë ajrore Ural Airlines (çarter turistik). Biletat mund të blihen online dhe në faqen e internetit të Ural Airlines, por janë shumë të shtrenjta. Në 1 gusht nga Tirana në Moskë bileta vlen 297 euro (vetëm 5 vende ka me këtë çmim, më pas rritet në 333 euro.
Kthimi më i afër në datën 8 gusht kushton 337 euro (vetëm 7 vende me këtë çmim, më pas rritet në 373 euro).
Jashtë kontinentit, mbi 400 euro
Muajt e fundit janë shtuar destinacionet direkte jashtë kontinentit Europian. Në gusht, fluturimet vajtje-ardhje Rinas-Dubai kushtojnë 432 euro, me Fly Dubai. Çmimet janë në këto nivele të pandryshueshme gjatë gjithë vitit.
Për në Rihad të Arabisë Saudite, me Flynas, bileta vajtje-ardhje në gusht kushton mbi 600 euro. Fluturimet do të operojnë me kryeqytetin e Arabisë Saudite tre herë në javë, duke vendosur një Airbus A320.
Fluturimet nga Kukësi nuk janë aq të lira (ofertat promo janë shumë pak)
Nga 15 korriku u njoftua se do të nisin fluturimet nga Aeroporti më i ri, ai i Kukësit. Fillimisht do të ketë dy destinacione, Stambolli dhe Zyrihu, një herë në javë.
Nëse do të fluturosh nga Kukësi drejt Zyrihut në gusht nuk është aq lirë. Për vajtje na datën 5, bileta kushton minimalisht 17,040 lekë, pasi opsioni ekonomi promo është shitur. Data e parë më e mundshme e kthimit është 12 gusht, me ekonomi promo që kushton 6,456 lekë. Në total, bileta vajtje-ardhje kushton 23,496 lekë, ose rreth 190 euro.
Më i lirë është Zyrihu në shtator, me vajtje 1,588 lekë, në 20 shtator dhe kthimi më i hershëm i mundshëm është në 30 shtator me 3,704 lekë. Bileta në total shkon rreth 5,300 lekë, ose 42 euro.
Nga Kukësi në Stamboll në 5 gusht vajtja është 6,604 lekë dhe kthimi në datën më të afër është në 12 gusht me 2,985 lekë. Bileta kushton në total 9,589 lekë ose 77 euro (pa llogaritur taksën e rrugës së Kombit dhe kostot e karburantit deri në Kukës).
Në shtator, bileta nga Kukësi në Stamboll është shumë më e lirë, me 1,588 lekë vajtje në datën 23 shtator (por vetëm një vend ka me këtë çmim promo, më pas rritet në 11,939 lekë) dhe kthimi më i hershëm në 30 shtator, me 2,985 lekë (por vetëm një vend është me këtë çmim) dhe më pas kthimi është 13,335 lekë. Në total bileta vajtje-ardhje , nëse e kap kthimin me promo (për të cilin është vetëm një vend i disponueshëm) është 37 euro dhe pas përfundimit të tyre rritet ndjeshëm në 204 euro./Monitor