Si u rrit influenca turke në Shqipëri vit pas viti/ Rama e bëri partnere strategjike, stoku i investimeve kap vlerën e 633 mln eurove

0

Featured image of article: Nisi me inagurimin e Rrugës së Kombit, si u rrit influenca turke në Shqipëri vit pas viti, Rama e bëri partnere strategjike, stoku i investimeve kap vlerën e 633 mln eurove

TIRANË– Turqia dhe Shqipëria janë dy vende mike, me një histori të përbashkët, lidhje të panumërta njerëzore dhe kulturore, dhe bashkëpunim në shumë fusha. Prezenca e Turqisë ka qenë e një rëndësie të veçantë edhe në këto 30 vite të tranzicionit shqiptar dhe çdo politikan dhe forcë politike kryesore në vend ka parë te Turqia një aleat të besueshëm.

Në vitin 2013 qeveria e sapozgjedhur e kryeministrit Rama e vendosi Turqinë në nivelin e aleatit strategjik. Në janar të këtij viti gjatë një takimi në Ankara midis kryeministrit Rama dhe presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, u ngrit dhe Këshilli i Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes dy vendeve. Në këtë formë edhe Turqia e njohu Shqipërinë si aleatin e saj strategjik.

Në këtë kuadër u nënshkruan dhe marrëveshje të reja në fushën e ekonomisë, shëndetësisë, arsimit dhe besimit. Ndikimi turk në Shqipëri përmes këtyre elementeve dhe efektet e tij do të analizohen në këtë episod të 31 Minutave.

Zef Preçi, Drejtor i Qendrës për Kërkime Ekonomike:

 “Të gjithë kryeministrat shqiptarë të pas vitit 1990, për të mos thënë dhe vetë lideri komunist, Ramiz Alia, kanë patur një afeksion, të çuditshëm do të thosha, ndaj Turqisë; jo për faktin se duhet ta paragjykojmë praninë ekonomike turke në ekonominë shqiptare, por për faktin se përgjithësisht është përdorur ky lloj bashkëpunimi për të ridimensionuar rolin apo vendin e Shqipërisë dhe në raport me partnerët perëndimorë.”

Ndriçim Mehmeti, Ekspert për çështjet e arsimit:

 “Sot nuk është se ne kemi frikë, sepse ne jemi të hapur. Ne duhet të kemi marrëdhënie shumë të mira me Turqinë, sepse është një vend i madh i NATO-s, një urë mes Lindjes dhe Perëndimit, me një x pozitë gjeografike, por, nga ana tjetër, duhet të ruajmë shumë interesat tona dhe mbi të gjitha orientimin perëndimor që ne kemi.”

Afrim Krasniqi, drejtor i Institutit të Studimeve Politike:

 “Cili është ai vend i botës që të ofron garanci, siguri, ndihmë, mjete teknike, investime strategjike, bursa falas dhe potencial të pakufishëm të investimit në sektorë kryesorë të shoqërisë dhe të shtetit pa përfituar nga kjo?! Kështu që Shqipëria duhet të jetë shumë e kujdesshme. Shqipëria duhet të bëjë investime strategjike. Duhet të dimë, nëse duam një polici të modelit perëndimor apo të modelit ballkanik dhe oriental; nëse duam një drejtësi të modelit perëndimor apo drejtësi të negociuar.”

Në qershor të vitit 2009, atë kohë kryeministri i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, u shfaq në krah të homologut të tij shqiptar, Sali Berisha, për të inauguruar një vepër të rëndësishme, infrastrukturore në vend, autostradën Durrës-Kukës ose të ashtuquajturën Rruga e Kombit. Kompania turke, ENKA, së bashku me atë amerikane, Bechtel, punoi për një nga akset më të rëndësishme në këtë autostradë, atë Rrëshen-Kalimash, me një gjatësi prej 61 km. Por prania e Erdoğan-it në këtë inaugurim dukej se mbarte një simbolikë edhe më të madhe: Ambicien e Turqisë për të rritur prezencën ekonomike në Shqipëri. Në prill të vitit 2012, gjatë një vizite që Berisha bëri në Ankara në mënyrë të qartë kryeministri Erdoğan theksoi se Turqia po ndërtonte një strategji për të rritur investimet dhe shkëmbimet tregtare me Shqipërinë.

Në vitin 2013, kur në pushtet erdhi kryeministri Edi Rama, ky vend u vendos në pozita edhe më komode në raport me Shqipërinë. Partia Socialiste përfshiu për herë të parë në programin e saj politik, me të cilin fitoi zgjedhjet, përfshirjen e Turqisë si një partner strategjik të Shqipërisë, përkrah Italisë dhe Greqisë. Kjo duket se solli dhe frytet e para dhe përparësinë e Turqisë në forcimin e pozitave ekonomike në vend. Nëse i referohemi të dhënave, gjashtë vitet e fundit rezultojnë të suksesshme për investimet turke në Shqipëri. Në vitin 2014 stoku i investimeve turke në vend ishte 413 milionë euro, ndërsa gjashtë vite më vonë u rrit me plot 230 milionë euro, duke arritur vlerën e 633 milionë eurove.

Kjo rritje ka sjellë edhe një pozicionim të favorshëm të Turqisë në renditjen e vendeve që investojnë në Shqipëri. Aktualisht, sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë për vitin 2020, Turqia u rendit investitori i pestë më i madh në vend, duke lënë prapa vende si Greqia dhe Austria, për shembull, të cilat kanë qenë investitore të rëndësishme të Shqipërisë në këto 30 vite. Investimet turke në Shqipëri janë të përhapura në disa nga sektorët më kyç të ekonomisë shqiptare; ato janë në energjitikë, në sektorin bankar, në industrinë e hekurit e çelikut, telekomunikacionit, industrinë e aviacionit etj. Ndonëse në parim Turqia shihet si një partner ekonomik, natyral në Shqipëri, disa mendojnë se ndryshe nga vendet e tjera investimet turke kanë disa veçori.

Zef Preçi: “Shohim që prania turke ka si karakteristikë nga njëra anë harmonizimin e investimeve private me ato shtetërore. Domethënë, aty ku nuk hyn biznesi privat turk, aty hyn TIKA, agjencia që varet nga zyra e kryeministrit të Turqisë, Agjencia për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar. Në të njëjtën kohë shohim që investimet turke, kur janë biznese private, shkojnë në qendra të pazhvilluara, periferike, tregje të shkëputura etj., që në njëfarë mënyre bashkë me praninë e tyre këto investime kanë edhe një tipar që është i dallueshëm nga investimet greke dhe italiane, se kanë një political turnover, kanë një ndikim të fortë politik.”

I tillë duket se është rasti i Spitalit Rajonal Memorial, i ndërtuar nga qeveria turke në afatin rekord të tre muajve dhe i inauguruar më 27 maj. Ky investim me vlerë 70 milionë euro, me 150 shtretër, u premtua nga presidentit turk, Erdoğan, gjatë një takimi me kryeministrin Rama në Ankara në fillim të muajit janar. Në një lidhje të drejtpërdrejtë për të përshëndetur fillimin e punës nga zyra e tij në Ankara, presidenti Erdoğan e quajti investimin Spitali i Miqësisë Shqipëri-Turqi.

Sipas kryeministrit Rama, “ky spital nuk është fundi, por vetëm fillimi i një pune të përbashkët, që do ta kthejë shëndetësinë shqiptare në një histori suksesi, njësoj si shëndetësinë turke”, duke lënë të kuptohet se investimet turke në sistemin shqiptar të shëndetësisë do të vijojnë.

Ndërkaq, në takimin e janarit në Ankara, të cilin Rama e ka konsideruar si takim historik, u nënshkrua edhe krijimi i Këshillit të Bashkëpunimit Strategjik të Nivelit të Lartë mes dy vendeve, i cili zyrtarizon partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe Turqisë.

Ndërkaq, në fillim të qershorit, i shoqëruar nga një delegacion i gjerë prej gjashtë ministrash dhe nga kryebashkiaku i Tiranës, kryeministri Rama brenda afatit kohor të gjashtë muajve kreu një vizitë të dytë zyrtare në Ankara. Kjo vizitë solli dhe nënshkrimin e disa marrëveshjeve të rëndësishme, duke nisur nga shëndetësia, arsimi, strehimi social, kultura dhe turizmi, përfshirë edhe çështje të sigurisë. Krijimi i një parku të teknologjisë së lartë në periferi të Tiranës, i një sistemi të kontrollit të territorit të të gjithë vendit me dronë superinteligjentë; si dhe ndërtimi i një fabrike për prodhimin e shtatë lloje vaksinash, si pjesë e një qendre ekselence farmaceutike, ishin disa nga vendimet konkrete të marra.

https://www.facebook.com/plugins/video.php?height=314&href=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2F31minuta%2Fvideos%2F309890713804517%2F&show_text=true&width=560&t=0

Vlen për t`u përmendur se fabrika e vaksinave pritet të ndërtohet nga distributori turk i vaksinës kineze, Sinovac. Ky distributor ishte një aktor kyç në sigurimin e 1 milion vaksinave për shqiptarët në muajin mars. Gjatë viteve të fundit Turqia ka arritur të forcojë edhe pozitën e saj si një nga vendet kryesore, prej të cilave Shqipëria importon. Sipas Institutit shqiptar të Statistikave, aktualisht Turqia është importuesi i dytë më i madh në vend pas Italisë. Gjithsesi, kur vjen puna tek eksportet e Shqipërisë drejt Turqisë, ato vijojnë të mbeten në nivele tepër modeste, në një kohë kur Shqipëria eksporton edhe më shumë në vende të largëta, siç janë p.sh., ShBA-të.

Por, çfarë mendojnë ekspertët në lidhje me këtë disbalancë?  

Zef Preçi: “Kjo do të thotë që ne jemi një treg për mallrat turke, që do të thotë se vazhdon një lloj politike neokoloniale apo postkoloniale, pas shpërbërjes së Perandorisë dhe ne jemi 100 e ca vjet prapa, dhe në të njëjtën kohë nuk ka reciprocitet.”

Fatjona Mejdini: “Kush po përfiton më shumë nga kjo marrëdhënie? Ne në vitin 2013 e kemi shpallur Turqinë aleat strategjik përkrah Italisë dhe Greqisë dhe në janar, ashtu si dhe ju e përmendët, u ngrit ai që quhet Këshilli i Lartë i Bashkëpunimit, që do të thotë që edhe Turqia na ka njohur si aleat strategjik. Por, në të gjithë këta parametra që ne kemi, nuk jemi të qartë se kush po përfiton. A po përfitojnë liderët shqiptarë, të cilët kanë te Turqia gjithmonë opsionin B apo po përfiton Turqia më shumë, duke na konsideruar një treg, mbase dhe zonë influence?”

Zef Preçi: “Duhet ta pranojmë që vendet e vogla, nëse nuk kanë institucione të konsoliduara, veprimtari të tyren, të mbështetur në transparencë, legjitimitet, konsensus të gjerë etj., në thelb janë gjithmonë të humbura në këto lloj marrëdhëniesh. D.m.th., reciprociteti në këtë rast nuk funksionon. Ndërkohë, ngritja e këtyre mekanizmave më shumë shërben për të justifikuar ecejaket e drejtuesve politikë dhe interesa të tjera të ndikimit të tyre dhe njëkohësisht të dyja palët i përdorin për interesa të brendshme politike. D.m.th., në qoftë se qeveria turke motivohet nga neo-otomanizmi – kjo është e gjithëpranuar tashmë dhe një doktrinë zyrtare e Davutoğlu ka 20 vjet që është prezente – në rastin e drejtuesve shqiptarë kjo shihet në dy drejtime.

Nga njëra anë për të demonstruar që gëzojnë mbështetje ndërkombëtare dhe për shumë shqiptarë, për shkak dhe të mentalitetit të shkuar etj., Turqia është natyrshëm një lloj aleati, po ashtu rritet edhe presioni ndaj Bashkimit Europian, pra qëllimi i dytë, dhe krijohet një lloj nervozizmi, duke e përdorur bashkëpunimin me Turqinë si një alternativë, që në fakt nuk është kështu dhe nuk mund të jetë kështu, por ka vlerën e tautologjisë, retorikës politike të ditës etj.

Neo-otomanizmi është një term që përdoret nga studiuesit për të përshkruar politikën e jashtme të Turqisë ndaj vendeve, të cilat kanë qenë nën pushtimin e Perandorisë Osmane, duke përfshirë edhe Ballkanin. Ashtu siç dhe termi sugjeron, politika e jashtme turke kërkon të jetë sa më prezente dhe influente në çdo aspekt të jetës së këtyre vendeve.

Si arkitekt i kësaj ideje është cilësuar ish-ministri i Jashtëm turk, Ahmet Davutoğlu, i cili ka qenë një bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit Erdoğan gjatë rrugëtimit të tij në drejtimin e vendit, duke nisur nga viti 2002 deri në vitin 2014.

Drejtuesit e lartë të shtetit turk nuk preferojnë ta përdorin termin “neo-otomanizëm”, por nuk e kanë fshehur asnjëherë ambicien për të ruajtur influencën kulturore, për ta zgjeruar atë ekonomike dhe për krijimin e një influence politike në vendet, të cilat kanë qenë pjesë e Perandorisë Osmane. Kjo ambicie bëhet më e madhe në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat janë në rrugëtimin e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian. Rritja e influencës në këto vende konsiderohet si një mekanizëm më shumë për rritjen e peshës së Turqisë në marrëdhëniet me BE-në.

Pavarësisht këtij realiteti, në maj kryeministri Rama në konferencën State of the Union, organizuar nga Instituti i Universitetit Europian, në Firence, Itali, me temë “Europa në një botë që po ndryshon”, hodhi poshtë idenë e neo-otomanizmit turk.

Edi Rama: “Kur vjen fjala për rajonin dhe për Shqipërinë, më duhet ta bëj shumë të qartë se kemi një marrëdhënie shumë të mirë me Turqinë. Është një marrëdhënie tradicionale. Për ne Turqia është partner strategjik. Marrëdhënia jonë me presidentin Erdoğan është e shkëlqyer, por dua ta bëj shumë të qartë: nuk ka asnjë shenjë, jo më fakt, por asnjë shenjë të asaj çfarë kanë pretenduar dhe vazhdojnë të pretendojnë disa burime, se presidenti Erdoğan dhe Turqia po ushtrojnë në Shqipëri apo në rajon (nuk e di, ndoshta disa gjëra mund të diskutohen, kur bëhet fjalë për Bosnjë-Hercegovinën, por jo tani), të ashtuquajturin neo-otomanizimin e rajonit të Ballkanit. Këto janë gjepura, nuk ka asgjë të tillë. Ndonjëherë zemërohem, kur shoh e kur lexoj lajme të rreme për xhami që ndërtohen në Shqipëri për të ushtruar këtë lloj ndikimi apo çfarëdo gjëje tjetër. Jo, nuk është e vërtetë.”

“Fuqia e butë” apo krijimi i influencës përmes arsimit, besimit, nismave kulturore dhe produkteve televizive është konsideruar si pjesë e rëndësishme e neo-otomanizmit turk. Xhamia e Namazgjasë në Tiranë, e cila u ndërtua nga Drejtoria e Çështjeve Fetare të Turqisë dhe fondacioni Diyanet, me themelet e hedhura në vitin 2015 nga vetë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, është sot gati për t`u inauguruar. E konsideruar si xhamia më e madhe në Shqipëri dhe një nga xhamitë më të mëdha në Ballkan, në të do të kenë mundësinë të falen 10 mijë besimtarë në të njëjtën kohë. Ndërkaq, në të gjithë vendin institucionet fetare të Turqisë dhe Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA, kanë kontribuuar për restaurimin e pesë monumenteve osmane në Shqipëri, konkretisht restaurimin e Xhamisë së Et’hem Beut në qendër të Tiranës, Xhamisë së Pazarit në Gjirokastër, Xhamisë Mbret, Xhamisë së Beqarëve dhe Teqesë Halveti në Berat.

Vitin tjetër pritet të restaurohet dhe Xhamia e Plumbit në Shkodër me fonde të Drejtorisë së Përgjithshme të Fondacioneve turke. Ndërkaq, në janar, Erdoğan dhe Rama u dakordësuan për restaurimin e përbashkët të qendrave historike të Beratit dhe Gjirokastrës, qytete këto që patën një zhvillim të veçantë gjatë periudhës otomane. Influenca e Turqisë në Shqipëri është shtuar ndjeshëm vitet e fundit edhe përmes edukimit. Shkollat turke, përfshirë edhe universitetet, janë tashmë një ofertë dominuese në sistemin e edukimit shqiptar. Në vitin 2016, parlamenti turk krijoi fondacionin Maarif, i cili kishte si synim zgjerimin e sistemit arsimor turk kudo në botë. I cilësuar si një mjet i rëndësishëm i diplomacisë kulturore turke, ky fondacion duket se ka për qëllim uljen e influencës dhe eliminimin e institucioneve arsimore, të mbështetura në të shkuarën nga kleriku turk, Fethullah Gülen, i cili konsiderohet një armik politik i presidentit turk, Erdoğan.

Ky fondacion krijoi degën e tij edhe në Shqipëri dhe në gusht të vitit 2018 deklaroi blerjen e Universitetit të New York-ut së bashku me shkollën e tij të mesme dhe fillore. Në vitin 2019 në zonën e Katundit të Ri, Maarif çeli dyert e një gjimnazi për të rinjtë e Elbasanit, ndërkaq për vitin akademik 2021-2022 janë hapur edhe regjistrimet për një shkollë 9-vjeçare. Ndërkaq, po ky fondacion në vitin 2019 nisi punën për krijimin e një kopshti fëmijësh sipas konceptit të një ferme, duke i dedikuar këtij projekti 2,000 metra katrorë sipërfaqe në periferi të Tiranës. Por, a vjen kjo prezencë e shtuar e shkollave turke si një nevojë apo është një strategji për të rritur influencën turke në vend? Apo është zgjatimi edhe jashtë kufijve i një lufte të brendshme, politike të Turqisë?

Ndriçim Mehmeti: “Në pamundësi të thirrjes që u tha disa herë dhe që ka filluar, nëse ju kujtohet, që në vitin 2013 e në vazhdim për të mbyllur shkollat turke, të hapura që në vitin 1993, me pretekstin se këto mbështesin Fethullah Gülen-in apo klanin FETO, siç e quajnë në Turqi, kur u pa se pati një rezistencë të brendshme të opinionit, të gazetarëve, të prindërve, atëherë këta kërkojnë të vendosin baraspeshën nëpërmjet këtyre shkollave, që sigurisht janë të promovuara edhe nga vetë kryeministri, i cili në dijeninë time ka ndërmend të bëjë dhe një qendër universitare ekselence në Fier, që do të thotë se ndoshta mund të hapet edhe një universitet paralel i mjekësisë…”

Por, planet e Turqisë në zgjerimin e arsimit turk në Shqipëri nuk kanë të ndalur. Kryeministri Rama deklaroi në janar të këtij viti pas një vizite në Turqi, se degë të Institutit prestigjioz Teknologjik të Stambollit do të hapeshin së shpejti dhe në Tiranë. Ndërkaq, në këtë takim u nënshkrua dhe një marrëveshje e rëndësishme mes dy ministrave të Arsimit, ku mes të tjerash parashikohet se palët “do të inkurajojnë mësimdhënien dhe nxënien e gjuhës zyrtare të palës tjetër, si dhe letërsinë dhe kulturën e palës tjetër brenda sistemeve përkatëse arsimore.”

Ndriçim Mehmeti: “Shqetësimi që kam pasur unë, ka qenë një marrëveshje që ka kaluar në heshtje në Shqipëri; një marrëveshje që ka bërë zonja Kushi, e cila thotë se gjuha turke është gjuhë që studiohet në grupin e lëndëve me zgjedhje të lirë. Përse duhet të jetë gjuha turke dhe jo gjuha spanjolle p.sh.?! Pse gjuha turke dhe jo gjuha gjermane?! A justifikohet kjo, për shkak të investimeve të mëdha, strategjike që Turqia ka në vendin tonë?! Unë them se jo…”

Ekspertët gjithashtu e vendosin theksin te nevoja e rolit monitorues dhe kontrollues të Ministrisë së Arsimit kundrejt, jo vetëm shkollave turke, por të gjitha shkollave të huaja në vend. Në këtë mënyrë ministria do të sigurohet se në to respektohen standardet dhe rregulloret e arsimit shqiptar dhe përmes tyre nuk përçohen ideologji të caktuara politike apo fetare. Prezenca e shtuar ekonomike, arsimore dhe kulturore turke besohet se ka sjellë me vete dhe një influencë të shtuar politike të Turqisë në Shqipëri, kryesisht pas përpjekjes së dështuar për grusht shteti në këtë vend, në korrik të vitit 2016. Rivali politik i presidentit Erdoğan, kleriku Fethullah Gülen, u shënjua nga autoritetet turke si njeriu pas kësaj tentative, ndonëse kjo është mohuar nga ai dhe mbështetësit e tij.

Gjithsesi, kjo ngjarje ka sjellë një represion të qeverisë turke ndaj medias, shoqërisë civile dhe asaj pjese të pavarur të administratës turke, një tkurrje të demokracisë, dokumentuar në shumë raporte ndërkombëtare. Lufta e brendshme, politike e Turqisë ka dhënë efektin e saj edhe në marrëdhëniet e këtij vendi me aleatët, duke bërë që Turqia të rrisë presionin ndaj shumë vendeve për të ekstraduar ata që shihen si mbështetës së Gülen-it. Në fakt, në Shqipëri tensionet u ngritën më 15 korrik të vitit 2019, kur në Liqenin Artificial të Tiranës u ngrit një pllakat, ku ishin gdhendur më shumë se 300 emra të atyre që humbën jetën në Turqi si pasojë e grushtit të shtetit. Debatit të ashpër publik për atë që u quajt “përfshirje e Shqipërisë në luftën politike të një vendi tjetër”, iu shtua dhe një tjetër element, vandalizimi dhe thyerja e një pjesë të këtij memoriali në gusht të atij viti.

Pas disa muajsh, i rrethuar me gardh, i mbështjellë dhe i ruajtur me policë, ky memorial është rikthyer në gjendje normale. Tashmë ai ruhet nga dy kamera sigurie, pamjet e të cilave administrohen në mënyrë të drejtpërdrejtë nga Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim, TIKA, që është dhe financuesja e tij. Një rrezik i përmendur është edhe ai i administrimit të policisë së vendit sipas modelit turk, për shkak të një bashkëpunimi të ngushtë që forcat policore të të dy vendeve kanë pasur për një kohë të gjatë. Në dhjetor të vitit 2016, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe ministri i Brendshëm i asaj kohe, Saimir Tahiri, falënderuan qeverinë turke dhe veçanërisht presidentin Erdoğan për ndihmën e dhënë në sigurimin e uniformave të reja për 9,000 efektivët e policisë shqiptare. Këto uniforma, u theksua, ishin një dhuratë nga Turqia.

Gjatë protestave të dhjetorit të vitit 2020, në kushtet kur në rrethana të paqarta policia i mori jetën një të riu, shqetësimi nga qytetarët u shtua, pasi në protestë u panë disa policë shqiptarë, të cilët mbanin veshur uniforma turke. Por, a ka policia shqiptare rrezik që nga forcat e sigurisë turke përveç uniformave të huazojë dhe sjelljen?

Afrim Krasniqi: “Ne kemi pasur dy momente të vështira. Kemi pasur momentin e vitit 2011, protestën studentore në Tiranë dhe incidentet paraelektorale në Tiranë. Në të dyja rastet, qoftë e djathta, qoftë e majta, ndihmat policore për ndërhyrjen ndaj protestuesve i ka marrë në Turqi. Edhe për arsye se, të kërkosh ndihmë në Perëndim për forcë policore apo masa mbrojtëse ndaj individëve kritikë apo protestues, do të duhet të kesh një lloj integriteti dhe besueshmërie, nuk është thjesht çështje biznesi. Kurse Turqia është gjithmonë një derë e hapur për çdo politikan të Tiranës, sa herë ata kanë nevojë të zgjidhin problematika politike të ditës dhe konsumit ditor. Turqia, për shkak të organizimit piramidal dhe personal, e ka më të lehtë t`iu kthejë përgjigje, ta sjellë përgjigjen, si edhe të përfitojë nga momenti i dobësisë për të ndihmuar, po themi, modelet autoritare në Shqipëri.”

Gjithsesi, ekspertët e konsiderojnë marrëdhënien e liderëve shqiptarë me Turqinë si oportuniste dhe që varet nga uljet dhe ngritjet e raporteve të Shqipërisë me Bashkimin Europian, i cili mbetet orientimi kryesor i Shqipërisë. Po kështu, ekspertët theksojnë se, sa herë oferta turke është kritikuar nga Perëndimi, qeveritë shqiptare kanë bërë hapa prapa dhe janë munduar të distancohen.

Krasniqi: “Është shumë interesante. Unë kam marrë pjesë në një sërë takimesh të nivelit të lartë në periudha të ndryshme në Turqi. Është i vetmi vend pas Kosovës, i cili çdo delegacion shqiptar e konsideron dhe i thërret me emrin Vëlla, duke e konsideruar Shqipërinë si një provincë të ndikimit turk; por gjithmonë Turqia ka qenë kritike ndaj Shqipërisë, duke pretenduar se nuk mbahen asnjëherë premtimet e dhëna dhe se nuk pasqyrohet ky raport miqësor dypalësh, por përfitohet nga situata. Dhe në fakt kështu ka ndodhur, dhe me të djathtën, dhe me të majtën në Shqipëri.

Në një kohë kur të gjithë zërat publikë nuk e mohojnë rëndësinë që ka për Shqipërinë marrëdhënia e mirë me Turqinë, ata theksojnë se orientimi i vendit duhet të mbahet qartësisht perëndimor. Mustafa Nano, në një monolog në emisionin Arnautistan në MCN TV, theksoi se ky mesazh duhet t’i përçohet qartë dhe pa ekuivokë edhe palës turke.

Ai tha: “Duhet t’iu bëjmë të qartë miqve tanë të dashur turq se ne megjithatë sytë i kemi nga Europa, nga Perëndimi. Dhe ky është një amanet që na e kanë lënë të parët tanë. Një amanet shumë i rëndësishëm. Për ne, shqiptarët, dielli lind andej nga perëndon. Ne nuk është se jemi perëndimorë. Të kuptohemi. Nuk jemi. Ose të paktën nuk jemi, aq sa duhet të dukemi dhe shtiremi, por ne Perëndimin e duam. E duam pa kushte. E duam në mënyrë instinktive.

Ne e adhurojmë Perëndimin. Mua më kujtohet se në vitet e lëvizjes studentore, më shumë se tridhjetë vite më parë, ishte një thirrje që u bë si mantra e atyre kohëve. Dhe ajo thirrje nuk ishte: “Ta bëjmë Shqipërinë si gjithë Turqia!”, por ajo thirrje ishte: “Ta bëjmë Shqipërinë si e gjithë Europa!” Rastet kur qëndrimet diplomatike të Shqipërisë janë të kundërta me ato të Turqisë, kanë qenë të shumta dhe janë të lidhura kryesisht me çështje të mprehta të politikës botërore, si për shembull konflikti Izrael-Palestinë. Por, nga ana tjetër, qeveria shqiptare ka mbajtur edhe një qëndrim të moderuar ndaj kërkesave të Turqisë për ekstradimin e mbështetësve të klerikut Gülen dhe mbylljen e shkollave që mendohej se mbështeteshin nga ai.

Por, se sa do të qëndrojë kjo marrëdhënie në një ekuilibër të tillë, jo shumë të lehtë për t’u balancuar, kjo mbetet për t`u parë…

*Përgatitur nga 31 MINUTA

Artikulli i mëparshëmKlodiana Lala zbardh dëshminë e Klevis Allës/ Talo Çela vrau vëllezërit Haxhia, pas sherrit për lekët e Rinasit
Artikulli i radhësKërkon të përvetësojë pronën në Ksamil, avokati del blof me deklarimet që jep: E ka marrë vëllai im dhe e ka vendosur në kredi bankare…