Prokurori i Prokurorisë së Tropojës, Agim Dalipaj është shkarkuar gjatë seancës së sotme në KPK. Ky i fundit u përball edhe të martën më 15 qershor me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore u konstatuan probleme për kriterin e pasurisë dhe profesionalizmin.
Ndërkohë, Dalipaj u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës. Dalipaj e ka filluar karrierën në vitin 1992 dhe ka punuar për më shumë se një dekadë si prokuror i Prokurorisë së Lezhës. Prej vitit 2015, ai ushtron funksionin si prokuror i emëruar në Tropojë.
Komisioni i ka kaluar barrë prove për pasurinë prokurorit Dalipaj. ILDKPKI ka konstatuar fshehjen e një apartamenti me sipërfaqe 53 m2 në Shëngjin gjatë viteve deklaruese 2006-2008, si dhe mungesë burimesh për blerjen e kësaj pasurie.