Makthet e tre viteve më parë kur eliminoheshin nga Botërori që në fazën e grupeve u shuan shumë shpejt. Gjermania dhurojë një spektakël ofensiv përballë Portugalisë, një fitore me “poker” golash që i jep frymëmarrje trajnerit Loew por mbi të gjitha i jep besim këtij grupi për të parë shumë më larg se faza e grupeve. Mjafton një fitore e tillë për të ndezur edhe më shumë grupin e “ferrit” me presionin që tashmë kalon tek rivalët e Francës dhe Portugalisë që përballen ndërmjet tyre në xhiron e fundit. Mund të qëndrojë edhe më i qetë Manuel Neuer, makthin e tij më të madhe C.Ronaldon nuk do ta ketë më përballë, ylli portugez i shënoi për herë të parë Gjermanisë ndërsa Neuer për herë të dhjetë, asnjë lojtarë tjetër nuk i ka shënuar kaq shumë atij që shihet nga të gjithë si portieri më i mirë në botë. Në një sfidë të tillë mes yjesh, ai që shkëlqeu më shumë nuk ishte as Neuer e as Ronaldo por Robin Gosens.
Anësori i Atalanta praktikisht çmontoi i vetëm luzitanët, i detyrojë të dërgonin dy herë topin në portën e tyre ndërsa në të katërtin firmosi zyrtarisht golin e tij të parë me fanellën e Kombëtares. Dikur kur kishte ëndërr të kishte fanellën e Ronaldos ndërsa pas këtij takimi i mori skenën yllit të Juves: “Ishte një mbrëmje e jashtëzakonshme për mua, në të gjithë drejtimet. Fituam kundër një skuadre shumë të fortë. Shënova golin tim të parë dhe asisit tim të parë në këtë turne, jam shumë krenar. A i kërkova sërish Ronaldos të shkëmbenim fanellën? Jo, sepse doja të shijoja këtë mbrëmje, u shpreh Robin Gosens.