Ambasadorja amerikane Yuri Kim zhvilloi një takim këtë të premte me kreun e sektorit të Krimit të Organizuar pranë Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, Altin Dumanin.
Është vetë diplomatja amerikane që e ka bërë të ditur një lajm të tillë.
Ajo paralajmëroi se SPAK do të japë më shumë rezultate duke treguar se askush nuk qëndron mbi ligjin.
Avokat Ngjela nisur nga deklarata e Kim, tha se gjatë muajit korrik të këtij viti, shqiptarët do të kenë mundësinë të njihen realisht me bëmat kriminale të korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri.
POSTIMI I PLOTË
Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara Yuri Kim, u duk shumë e shqetësuar të martën kur foli përpara KLD dhe KLGJ.
Pse?
Edhe sot gjithashtu, kur takoi shefin kundër krimit të organizuar në Prokurori.
Pse?
Sepse i gjithë korrupsioni i lartë politik është hedhur në aksion.
Të korruptuarit nën akuzë për prona korruptive, të Partisë Demokratike, nuk i pranojnë zgjedhjet e 25 prillit. Si gjithmonë. Një melodi mesjetare allaosnmane kjo, por që nuk bëjn dot gjë;
Meta ndërkohë është futur në inekzistencë administrative, se është në një rrugë ku pasioni dhe frika i kanë errësuar arsyen shtetërore;
Në shtator, po pritet të çelet parlamenti i zgjedhur në 25 prill, dhe opozita është futur në një qerthull absurd: nuk pranon zgjedhjet, kur këto janë çërtifikuar ndërkombëtarisht; kur nuk ka paraqitur asnjë provë për manipulim zgjedhor dhe, kur i ka humbur të gjitha gjyqet;
Ndërsa, toni i ashpër e lavdërues për antikrimin që ambasadorja amerikane bëri sot në SPAK, tregon se politika amerikane ka të dhëna për akte politike bllokimi, dhe për bashkëpunim të korrupsionit të lartë shtetëror me krimin e organizuar.
l
Sigurisht, një ton i ashpër i ambasadores dhe vlerësim njëherësh për SPAK, tregon se politika amerikane kuptohet që ka të dhëna nga shërbimet se në Shqipëri po bllokohet reforma në drejtësi, emërimet e reja nuk po bëhen në pushtetin gjyqësor, dhe ka edhe ndalim të reformës antikorrupsion.
Në të vërtetë, kjo është klasa politike e Shqipërisë – e gjitha e korruptuar, dhe e gjitha kundër shqiptarëve.
Prandaj, me këta individë të degraduar, flitet vetëm me denoncime.
Pikërisht për këtë, dhe e morëm njoftimin se presidenti amerikan, Joe Biden, dekretin e tij të urdhrit administrativ kundër Sali Berishës e paraqiti në Kongresin Amerikan dhe, në korrik, Kongresi, në funksion të provave dhe fakteve që ka, pritet të marrë vendimin e vet kundër Sali Berishës si “i korruptuar familjarisht dhe si pengues i demokracisë në Shqipëri, por edhe si një individ me veprimtari të ethshme antiamerikane”.
Por, a do t’i bëjë politika amerikane të qarta për shqiptarët provat dhe të gjitha faktet që disponon për korrupsionin e lartë shqiptar? A do t’a bëjë publike politika amerikane, bashkëpunimin e një sërë të korruptuarish të lartë në Shqipëri me Beogradin, Moskën, dhe e futur me pasion shkatërrimi në një veprimtari të ethshme antishqiptare?
ll.
Ky denincim duhet të vijë dhe të shfaqet para opinionit publik shqiptar përpara ose njëherësh me fillimin e procesit penal kundër ‘peshqëv të mëdhenj’ të politikës shqiptare. Sepse ka shenja që korrupsioni i lartë shtetëror po krijon lidhje me krimin e organizuar.
Të dy këta segmente janë partnerë në të gjitha vendet e korruptuara si Shqipëria. Dhe prandaj, kuptohet se politika amerikane po inkurajon sektorin kundër krimit të organizuar në SPAK. Dhe këtë bëri sot edhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, kur takoi dhe lavdëroi shefin e sektorit kundër krimit të organizuar në SPAK.
Të gjitha këto tregojnë që, po kuptohet ndërkaq se ka një skemë ndërkombëtare me ecuri profesionale kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Shqipëri. Fakti që u përshpejtua dërgimi në Kongresin Amerikan të materialit nongrata të Sali Berishës dhe të familjes së tij, kuptohet se materialet sekrete të mbledhura kundër korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri, pasi të bëhen të hapura përpara Kongresit, do të bëhen të qarta e publike edhe përpara opinionit publik shqiptar.
E themi këtë, sepse, asnjë material i paraqitur përpara Kongresit në Uashington, kur procedohet për daljen e një ligji të posaçëm, nuk mund të jetë sekret.
Prandaj, gjatë muajit korrik të këtij viti, shqiptarët do të kenë mundësinë të njihen realisht me bëmat kriminale të korrupsionit të lartë shtetëror në Shqipëri.
Pas kësaj, mendoj se, për vetë Shqipërinë dhe shqiptarët, do të fillojë një epokë e re.
Të korruptuarit janë shumë, dhe të shpërndarë kudo; por, edhe krimi i organizuar, edhe pse pa shumë forcë e jo profesional, sërish duhet theksuar se është i shtrirë në të gjithë aspektet ekonomike të shtetit shqiptar. Por, tani, lufta kundër tij ka filluar dhe do të vijojë.
Si rregull, lufta penale antikorrupsion, në një vend të korruptuar si Shqipëria, fillon në mënyrë drastike kundër krimit të organizuar. Sepse korrupsioni i lartë shtetëror dhe krimi i organizuar, janë simbiozë organike në çdo shtet të korruptuar, dhe, forca e korrupsionit qëndron te krimi i organizuar.