Mbyllen hetimet për sulmin ndaj eskordës së kryeministrit të vendit, Edi Rama. Prokuroria e Elbasanit ka marrë të pandehur kryetarët e PD nëpër degët e qarkut dhe ish-deputeti.
Zyrtarët e PD janë marrë të pandehur për akuzën e “Organizimit, pjesemarrjes në grumbullime, manifestime të paligjshme”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Pengim i subjekteve zgjedhore”.
I pandehur është marrë Bujar Vreto, kryetar i PD në Librazhd, Aurel Bylykbashi ish-deputet i PD në Elbasan, Arjan Karriqi kryetar i PD në Prrenjas, dy sekretarët e PD, Leonard Ozuni dhe Erlind Gurra si dhe dy simpatizantë të PD, Bujar Kojku e Dashamir Boja.
Ngjarja ka ndodhur në 13 qershor 2019, ku në hyrje të Librazhdit, Partia Demokratike, ka organizuar një tubim, duke kryer bllokimin e rrugës me qëllim ndalimin e qarkullimit të automjeteve dhe më konkretisht të eskortës së kryeministrit, Edi Rama.
Megjithëse me anën e një shkrese të kryetarit të PD në Librazhd Bujar Vreto, ishte kërkuar marrja e një leje nga komisariati i policisë lokale për zhvillimin e tubimit në 13 qershor, strukturat policore e kanë cillësuar si të pamundur mbështetjen me efektivë policie të tubimit, pasi në këtë datë në Librazhd zhvilloheshin dhe dy aktivitete të tjera.