Gazetarja Klodiana Lala ka dhënë detaje lidhur me masakrën në Velipojë, pas një konflikti për shfrytëzim të bregdetit.
Lala tha se familjet kanë pasur debate të vazhdueshme dhe shteti nuk ka reaguar për të ndaluar konfliktin. Familja Ferracaku dhe Gocaj, kanë hotele pranë njëri-tjetrit, teksa kohët e fundit prisnin që autoritetet të caktonin zonat që do të shfrytëzonin dy familjet.
Lala thotë se dy familjet kanë folur më herët por nuk kanë rënë dakord për mënyrën e shfrytëzimit të bregdetit. Kjo gjë, sipas saj, ka bërë që familja Ferracaku të shkojë tek familja Gocaj dhe më pas janë përplasur me armë zjarri.
“Janë dy anë të medaljes, nga njëra anë është shteti shtytës në këtë krim të rëndë. Bëhet fjalë për debate prej kohësh për shfrytëzimin e bregdetit në Shqipëri e nuk është një debat që bëhet në Velipojë. Nis që nga tjetërsimi i pronave në bregdet duke vijuar më pas me ndërtimin pa lejeje. Shteti nuk ka reaguar për vite me radhë dhe pse në 30 vitet e fundit është bërë një masakër. Në rastin konkret që kishte debat të fortë dhe nuk është reaguar. Dy familjet kanë prej vitesh hotele në atë zonë. Hotel “Fanatzia” është në emër të Feracakut. Vitet e fundit, shfrytëzimi i rërës merret me leje të posaçme. Vitin e kaluar e ka pasur të drejtën familja Gocaj, ndërsa këtë vit e kishte familja Ferracaku, por nuk ishte marrë ende vendimi përfudnimtar.Ka patur një debat se të dyja familjet kishin vendosur shezlonget në zonën që kishin përdorur vitet e tjera. Familja Ferracaku i ka kërkuar Gocajve që të largonte Gocaj, por kjo është mbyllur këtu. Por pas mesnate, ka shkuar Kujtim Ferracaku me vëllain Hasanin tre djemtë e Hasanit dhe nipin e tij të armatosur, ndërkohë nga ana tjetër ka dalë dy djem nga familja Gocaj. Sipas policisë janë përdorur katër armë zjarri, tre pistoleta dhe një kallashnikovë.”-tha Lala.