Këshilli Kombëtar i Territorit miraton lejen për ndërtimin e objektit të “Teatrit Kombëtar”

0

Këshilli Kombëtar i Territorit ka miratuar në mbledhjen e sotme dhënien e lejes së ndërtimit për  objektin: “Teatri Kombëtar”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me zhvillues Bashkinë Tiranë.

Leja për ndërtimin e “teatrit Kombëtar” vjen pas debatesh së shumta lidhur me të ardhmen e këtij institucioni, që u shemb në verë të vitit të kaluar, pavarësisht protestave të shumta kundër shembjes së tij.

Pak ditë më parë, qeveria ndryshoi buxhetin, duke planifikuar rreth 900 milionë lekë (rreth 7 mln euro) për teatrin kombëtar, ndërsa vlera e saktë e gjithë projektit nuk është bërë e ditur.

Ndërtimi i tij ishte parashikuar dhe në projektbuxhetin e Bashkisë për vitin 2021. Në relacionin e projektbuxhetit afatmesëm 2021-2023 thuhet se “Aktualisht, Teatri Kombëtar është në fazë projektimi dhe priten të nisin shumë shpejt punimet, ndërkohë që është garantuar financimi i tij nga Buxheti i Shtetit”.

Sipas relacionit, “Projekti i prezantuar nga një prej studiove më të mëdha ndërkombëtare të arkitekturës në botë, ‘Bjarke Ingels Grop’ me qendër në Danimarkë, ofron një godinë të arkitekturës me dizajn modern dhe që krijon një hapësirë unike në qytetin e Tiranës, duke ofruar të gjitha kushtet e nevojshme dhe frymëzuese për zhvillimin e talentit të aktrimit, ashtu edhe për vetë publikun, i cili mund të angazhojë imagjinatën”.

Në relacion nuk jepet një vlerë e saktë se sa do të kushtojë teatri, por në tabelat e investimeve të projektbuxhetit të Bashkisë parashikohen, në zërin e shërbimeve kulturore fonde për Studim Projektime, Oponencë Teknike, Mbikëqyrje Punimesh Kolaudim, me vlerë totale prej 232 milionë lekësh, ose më pak se 2 milionë euro, për ndërtimin e teatrit kombëtar, për periudhën 2021-2023.

Më herët është deklaruar se kosto e ndërtimit të teatrit i kalon 30 milionë euro, shumë që nëse financohet nga buxheti, siç deklarohet në relacion, do të duhet të paguhet nga paratë e taksapaguesve.

Artikulli i mëparshëmNesër nis komunikimi pa roaming në Ballkanin Perëndimor
Artikulli i radhësStatistikat e transporteve, rritet volumi i mallrave në porte, pasagjerët preferojnë fluturimet