
Dilema se cila do të jetë prezantuesja e “Big Brother Vip” ka marrë fund! Prej disa muajsh në media përflitej për dy emra: Luana Vjollca dhe prezantuesja historike e këtij formati, Arbana Osmani.
“Prive” ka mësuar se moderatore e këtij programi që pritet të nisë së shpejti do të jetë sërish Arbana Osmani.

Moderatorja do të rikthehet pas katër vitesh mungesë në krye të “Big Brother”, i cili këtë vit vjen me një ndryshim: pjesëmarrës do të jenë vetëm personazhe të famshëm shqiptarë që do të bashkëjetojnë për 100 ditë në kushte të zakonshme larg luksit.

“Big Brother Vip” do të zhvillojë edicionin e parë në studion “Nova”, krijuar enkas për spektakle të këtij lloji disa vite më parë.

“Në udhëtimin e tyre banorët do t’u nënshtrohen kushteve të pazakonta, brenda një shtëpie që askush s’e kishte imagjinuar larg komoditeteve të jetës së përditshme”, shkruhej në njoftimin e organizatorëve.

Ndërkohë, vetë Arbana nuk ka reaguar ende në rrjetet sociale për këtë konfirmim.

Tashmë që dilema mori fund, Luana Vjollca me siguri do të rikthehet në ekran në shtator me të tjera surpriza për publikun shqiptar.
