OPEC+, sërish pa marrëveshje – Emiratet bllokojnë rritjen e prodhimit me 2 milionë fuçi në ditë

0

OPEC dhe aleatët e tjerë do të rifillojë të hënën bisedimet mbi kuotat e prodhimit, pasi edhe të premten nuk u arrit një marrëveshje. Emiratet e Bashkuara Arabe bllokuan planin për të rritur prodhimin me rreth 2 milionë fuçi në ditë, duke filluar nga gushti, deri në dhjetor.

OPEC+ nuk ka arritur një marrëveshje mbi kuotat e prodhimit edhe ditën e premte dhe bisedimet do të rifillojnë të hënën, pasi Emiratet e Bashkaura Arabe bllokuan disa pika të planit. Shtyrja e bisedimeve mund të vonojë planet për të hedhur më shumë naftë në treg deri në fund të këtij viti, ndërkohë që çmimet po qëndrojnë në nivelin më të lartë në thuajse 2 vite e gjysëm. Konsumatorët duan më shumë naftë, pas heqjes së kufizimeve të pandemisë.

Në anën tjetër, rritja e çmimeve të naftës po kontribuon në inflacionin global, që mund të ngadalësojë rimëkëmbjen e ekonomisë nga pandemia. OPEC+, që përfshin vendet e OPEC dhe aleatët e tjerë me në krye Rusinë, votoi të premten për të rritur prodhimin me rreth 2 milionë fuçi në ditë, duke filluar nga gushti deri në dhjetor. Emiratet e Bashkuara Arabe ranë dakord të hedhin më shumë naftë në treg, por ishin kundër shtyrjes së shkurtimeve. OPEC+ njoftoi në një deklaratë se bisedimet do të rifillojnë në ditën e hënë.

Në përgjigje të rënies së kërkesës, si pasojë e krizës së Covid-19, OPEC+ ra dakord vitin e kaluar të ulë prodhimin me rreth 10 milionë fuçi në ditë, që nga maji i vitit 2020, me planin për të dalë nga kjo marrëveshje në prill të vitit 2022. Aktualisht, ulja e prodhimin qëndron në rreth 5.8 milionë fuçi në ditë. Nëse Emiratet e Bashkuara Arabe bllokojnë marrëveshjen, kuotat aktuale të uljes së prodhimit do të qëndrojnë në fuqi. Megjithatë, analistët shprehen se ka pak mundësi që marrëveshja të prishet dhe të gjitha vendet të prodhojnë aq sa dëshirojnë.

Artikulli i mëparshëmSkadojnë në fund të korrikut, Sllovakia i dhuron Shqipërisë vaksina ruse
Artikulli i radhësQeveria shtyn gjobat e fiskalizimit – Nuk ka sanksione për bizneset deri më 1 janar 2022. Shkak, situata e krijuar nga pandemia