Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka treguar sot përmes një postimi në rrjetet sociale situatën e papritur që i ka ndodhur gjatë pushimeve të tij këtë fundjavë në bregdet.
Postimi i plotë:
Mbrëmë këtu në plazh, kishte party. Dikush festonte ditën e lindjes në një nga beach baret e plazhit. Atmosferë, drita, veshje elegante, parfume, madje kishte dhe policë. Bukur shumë.
Muzika në kupë të qiellit deri në orët e mëngjesit. Vështirë të flije. Hajt më, në plazh jemi edhe do tolerojmë. Fundja ky avaz nuk është i përnatshëm.
Sidoqoftë me cilësinë e muzikës së luajtur mbeta i pakënaqur. Veçanërisht i keqardhur u ndjeva me stonaturën konstante të këngëtarëve live. Ishin dramë! Ishin dhe këngëtarë të njohur. Zhgënjim ishin!
Nejse, iku nata. Në mëngjes dolëm në plazh bashkë me Runin, qenin tonë. Dalim çdo ditë. Ajo luan e gëzon shumë. Edhe leh nga kënaqësia.
Ndërkohë, në orën 9:00, pronarët e beach bar-it që na bënë gjithë atë zhurmë mbrëmë, dërguan një qehaja për të më thënë që të ndaloja qenin së luajturi e lehuri në plazh, se i flenë njerëzia!!!
Mezi e kuptova ç’thoshte korbi, por më në fund arrita të kuptoj se pronarët e lokalit të zhurmës flenë. Qeni jonë kur luan ditën bëka më shumë zhurmë se muzika e lartë e luajtur natën?!
U përmbajta goxha mirë, me thënë të drejtën. U kujtova se e lehura e Runit kur luan është ku e ku më natyrore se stonaturat muzikore që na lanë mbrëmë pa gjumë. Më erdhi në ndihmë e qeshura…
Qehajait i dhashë një mesazh për pronarët. Sigurisht, Runi vazhdoi lojën…
****
Të gjitha i kuptoj dhe i pranoj, por stonaturën (jo vetëm muzikore) e kam shumë problem…