Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu e shoqëruar nga ambasadori i BE, Luigi Soreca dhe ai austriak Christian Steiner kanë pritur mbrëmjen e së hënës në aeroportin e Rinasit 16 380 vaksina Pfizer. Dozat ishin pjese e marrëveshjes me kompaninë Pfizer dhe ndihmës së BE.
Manastirliu tha se deri tani kanë mbërrutur në vend mbi 1 120 000 vaksina. Ambasadori Soreca u shpreh se deri tani janë rreth 60 mijë vaksina Pfizer që BE ka sjellë për Shqipërinë, ndërsa brenda muajit gusht do të plotësohet kontrata prej rreth 150 mijë vaksinave.
Problemi është se në pikat e vaksinimi të popullsisë nuk bëhet asnjë dozë Pfizer. Nga një vëzhgim i lapsi.al prej disa ditësh në këto qendra aty gjen normalisht vetëm doza të vaksinës kineze.
Të pyetur se ku shkojnë dozat e Pfizer që vijnë çdo të hënë në vend, përfaqësues të komitetit të vaksinimit thanë se ato janë të rezervuara për persona me sëmundje bashkëshoqëruese. Por edhe këta të fundit janë ankuar shpesh publikisht se e kanë të vështirë të sigurojnë doza për shkak të burokracive dhe sorollatjes në zyra.