Nga Edmond Tupja
Para disa ditësh u përgjak e u trondit plazhi i Velipojës si pasojë e një përplasjeje me armë midis dy pronarësh hoteli për shkak të një parcele ranishteje, ku secili syresh kërkonte të kishte përparësi për vendosjen e çadrave dhe të shezlongëve të veta.
Rezultati: katër të vrarë, midis të cilëve edhe një njëzetvjeçar që e kishte ditën e parë të punës; nga ana tjetër, të nesërmen e kësaj tragjedie, diku në një plazh jugor, natën u dogjën 60 shezlongë.
Me sa arrita të informohesha, duket se në zanafillë të kësaj kasaphane na paska qenë kalimi, nga autoriteti i policisë bashkiake tek ai i ministrisë së Turizmit, i së drejtës për të përcaktuar ato hapësira ranore, ku pronarëve të hoteleve buzë detit u lejohet të vendosin çadra e shezlongë.
Gjithsesi, duke u bindur çdo ditë e më shumë se hallkat kompetente të shtetit shqiptar janë të pafta të shmangin vrasjet e panumërta në gjirin e shoqërisë sonë, uroj që, po të jetë e domosdoshme, për të shmangur që çdo shezlong të kthehet në shezbombë, e drejta e lartpërmendur të kalojë tek autoriteti i një administrate shtetërore edhe më të lartë si, për shembull, tek ai i kryeministrisë sonë, apo edhe, pse jo në fund të fundit, tek autoriteti i ndonjë strukture ose organizmi të BE-së a të SHBA-ve, sepse, me sa duket, shteti ynë i shpërfytyruar po shfaqet sa vjen e më shpesh si i pafuqishëm për të vendosur midis vetë shqiptarëve qoftë edhe një minimum paqeje sociale.
Sa për informacion, po i lejoj tani vetes që atyre lexueseve dhe lexuesve që nuk e dinë nga ka ardhur në gjuhën shqipe fjala “shezlong”, t’u mësoj se prejardhjen ajo e ka nga togfjalëshi frëng “chaise longue” që do të thotë, fjalë për fjalë, “karrige e gjatë”, por në kuptimin “ndenjëse e cila paloset në disa kënde dhe ku mund të shtrihesh”. Ku mund të shtrihesh…, po po, kështu është, ku mund të shtrihesh, veçse i gjallë, jo i vdekur, sepse shezlongu nuk është arkivol, sepse ranishtja e plazhit nuk është varrezë, sepse deti nuk është vend për të larë të vdekurit para se të varrosen, sepse pushuesit nuk janë aspak pjesë e ndonjë kortezhi mortor!…
Ku mund të shtrihesh…, po po, kështu është, për t’u çlodhur, pasi ke notuar, për të kundruar horizontin, anijet, njerëzit rreth e rrotull teje, vajzat e bukura dhe djemtë e pashëm, për të harruar streset e jetës së përditshme, për t’i thënë vetes se, sidoqoftë, jeta ia vlen ta shijosh sa je gjallë…
Mirëpo kur “la chaise longue”, pra shezlongu, bëhet shkak vdekjeje, atëherë mendja të shkon tek “la chaise électrique”, pra tek karrigia elektrike, që përdoret në disa shtete të SHBA-ve për ekzekutimin e të dënuarve me vdekje! Kjo lloj karrigeje, po, kjo është burim vdekjeje, por për ata që e meritojnë vërtet vdekjen, sidomos për diktatorët para së gjithash, sepse këta gjithmonë kanë folur, flasin e do të flasin për “të ardhmen”, për “të nesërmen” e ndritur të një vendi, të një populli, të një kombi, të mbarë njerëzimit, ndërkohë që mendojnë vetëm për vete, çka kishte parasysh e nënvizonte para shumë dekadash shkrimtari francez Jean Giono kur thoshte “Ruhuni nga ndërtuesit e së ardhmes, sepse, në emër të fëmijëve që do të lindin, ata vrasin njerëz që jetojnë!”.
Në këtë kuadër, askush nuk mund të më kundërshtojë po të pohoj se kjo këshillë e ruajti aktualitetin e saj për kohën e diktaturës hoxhiste, mirëpo, me shumë gjasë, askush nuk mund t’i pengojë lexueset dhe lexuesit e mi ta këqyrin aktualitetin e sotëm shqiptar pikërisht nën dritën e citatit të sapopërmendur.
Së fundi, por jo më së paku, togfjalëshi “chaise longue” të kujton gjithashtu një tjetër togfjalësh, atë “chaise percée”, fjalë për fjalë “karrige e shpuar”, e cila, një herë e një kohë përdorej në Francë kur bëhej fjalë për pleqtë ulokë që nuk lëviznin të paktën aq sa për të kryer nevojat vetjake. E di dhe jam tashmë i sigurt për këtë: Lexueset dhe lexuesit e mi e kanë kuptuar: Bëhej fjalë për një karrige me një vrimë të rrumbullaktë, poshtë së cilës fiksohej pikërisht një enë që luante në këtë mënyrë rolin mjeran e një oturaku të lëvizshëm.
Nën dritën e kësaj lidhjeje formale të sendit “chaise longue”, pra shezlong, me sendin “chaise percée”, pra oturak i lëvizshëm, unë po marr guximin t’u uroj diktatorëve dhe sidomos kriptodiktatorëve të të gjitha ngjyrave e ideologjive, të cilët shtiren si shpëtimtarët e popujve të trullosur, jo të vdesin në karrigen elektrike të amerikanëve, por ta vuajnë pleqërinë e tyre famëkeqe të lidhur ngushtë me karrigen e shpuar, pra me oturakun primitiv, ku të jashtëqisin tërë ndyrësitë e çmendurisë së pakufishme që kanë në shpirt./panorama