‘Na mashtruan me aktin noterial’/ Nëna e përlotur: Si ma mori firmën avokati për të falur autorin

0
‘Na mashtruan me aktin noterial’/ Nëna e përlotur: Si ma mori firmën avokati për të falur autorin

Gjykata e Elbasanit dënoi me 4 vjet burg Behar Pemën, i cili më 13 shtator 2020 aksidentoi për vdekje dy vajza të reja dhe dy të tjera i la të plagosura. 

Ngjarja ndodhi në dalje të tunelit të Elbasanit, ndërsa sipas informacionit që dha policia shoferi ishte i dehur. Nga aksidenti i tmerrshëm humben jetën  Lusinda Garunja dhe Zheneta Qellia.

E tronditur nga vendimi i gjykatës, nëna e viktimës Lusinda Garunja, Rezmie Garunja në një lidhje me Report Tv ka mohuar që ajo dhe familja tjetër që humbi vajzën në këtë aksident të ketë falur autorin. Ajo tha se janë mashtruar pasi avokati i Behar Pemës u kishte kërkuar që të firmosnin një akt noterial ku thuhet se familjet nuk do të kishin hakmarrje mes tyre, por ia lënën në dorë drejtësisë. Por ky akt noterial sipas nënë së viktimës është keqpërdorur në gjykatë pasi është interpretuar sikur familjarët e kanë falur autorin.

“Ne nuk duam vetëgjyqësi, por jo se i  kemi falur. Ne kemi kërkuar drejtësi dhe nuk kemi hasmëri me familjen e autori. Ne kishim besim te drejtësia, por jo se kemi falur autorin. Aktin noterial që u paraqit në gjykatë na e kërkoi avokati i Behar Pemës dhe e kërkoi se mos mendonte se ne do hakmerreshim. Edhe familja tjetër e ka firmosur këtë akti, ne kemi firmosur me vullnet pasi kërkonin që të mos kishte hakmarrje por drejtësi për autorin. Jemi mashtruar më këtë deklaratë që firmosëm. Unë e kam dhënë me noter në Shkodër, ne e kemi bërë për jo hakmarrje, por jo që ai të dënohet me 4 vite burg. Ishin 4 jetë, pavarësisht se 2 shpëtuan fal zotit. Jam shumë e mërzitur me dënimin që kanë dhënë”, tha nëna e viktimës.

“Jam shumë e indinjuar dhe e mërzitur me vendimin që u dha dje në gjykatën e Elbasanit, unë ia lash drejtësisë në dorë , por jeta e vajzës sonë ka vjetur vetëm 4 vite. Jam shumë e mërzitur me dënimin, nuk kam fjalë, na i vranë vajzat për herë të dytë”, tha ajo me lot në sy për Report Tv.

Çfarë thotë Kodi Penal

Në bazë të Kodit Penal, neni 290 për ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’ thuhet se kur nga vepra penale është shkaktuar vdekja ose plagosja e rëndë e disa personave, dënohet me burgim nga pesë deri në njëzet vjet.

Si ndodhi ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi më datë 13 shtator të vitit të kaluar në dalje të autostradës së Elbasanit. 4 vajzat nga Shkodra po udhëtonin për të festuar ditëlindjen e 19-vjeçares Lusinda Garunja, por u kthye në një tragjedi. Behar Pema i cili po udhëtonte me mjetin e tij tip “Benz”, goditi nga pas makinën tip “Volksëagen”, ku po udhëtonin katër vajzat. Pas përplasjes, katër vajzat mbetën të bllokuara në makinë dhe u desh ndërhyrja e Policisë dhe Zjarrfikëses për t’i nxjerrë nga aty e për t’i transportuar më pas në spital.  Dy prej tyre humbën jetën teksa mbërritën në spital, ndërsa dy mundën të mbijetojnë.

Artikulli i mëparshëmS’ka më sekrete/ SPAK mund të shohë llogaritë bankare të të gjithëve
Artikulli i radhësNgjela zbulon informacionin e fshehtë që ka marrë kryeministri Rama për Sandër Lleshajn: Prandaj u largua si ministër pa ndonjë arsye…