Jo vetëm, futboll, jo vetëm krenari e trofeut më të rëndësishëm kontinental për kombëtaret, por kampionati europian i futbollit ka edhe anën ekonomike. UEFA do të shpërndajë 331 milionë Euro për pjesëmarrëset e kompeticionit, nga të cilat 130 milionë do të shkojnë për klubet e futbollistëve që janë aktivizuar në Evropian.
Deri tani dy kombëtaret finalistë Anglia dhe Italia kanë përfituar 25.5 milionë Euro nga UEFA, të cilat mund të bëhen 28.5 milionë në rast fitores në fund të ndeshjes së mbrëmjes. Danimarka arriti të grumbullonte 18.25 milionë Euro si gjysmëfinaliste, ndërsa Spanja 1 milion më shumë.
Nga ekipet e eliminuara në çerekfinale, Belgjika ka përfituar më shumë plot 16.25 milionë Euro pasi fitoi 3 ndeshjet e grupit. Ndjekin Ukraina me 14.2 milionë Euro dhe Çekia me Zvicrën nga 12.75 milionë. Holanda 13,75 milionë.
Gjermanisë dhe Portugalisë i shkojnë vetëm 12.2 milionë Euro së bashku me Kroacinë dhe Austrinë, ndërsa Franca dhe Suedia kanë përfituar 12.75 milionë Euro.
Për shkak të pandemisë, mungesës së mbushjes së stadiumeve dhe shumë vështirësive të tjera do të jetë e vështirë që të arrihet kuota e fitimit 1.9 miliardë sikurse ndodhi në europianin e shkuar.