Pas Ballkanit, tarifat roaming mund të hiqen edhe me BE-në

0

Nga fillimi i këtij muaji, vendet e Ballkanit Perëndimor eliminuan tarifat roaming të shërbimeve celulare mes tyre.

Por, ky proces nuk përfundon këtu: tashmë vendet e rajonit po synojnë një reduktim deri në heqjen totale të këtyre tarifave edhe me vendet e Bashkimit Europian.

Altin Rrapaj, drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes së Përdoruesve në Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) thotë për Monitor se kanë nisur diskutimet teknike për të vlerësuar mundësitë e heqjes së tarifave roaming edhe me vendet e Bashkimit Europian.

“Në momentin që do të anëtarësohemi në BE, sigurisht që do të përfitohet roam like at home, si çdo vend anëtar i BE-së. Megjithatë, ne jemi në negociata për ta mundësuar një process të tillë edhe përpara anëtarësimit, me Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal dhe me Komisionin Europian dhe ministritë përkatëse për komunikimet elektronike në vendet e Ballkanit Perëndimor. Procesi ka filluar, me qëllim për të përgatitur një udhërrëfyes apo roadmap sesi mund të realizohet që shtetet e Ballkanit Perëndimor të reduktojnë tarifat roaming me vendet e BE-së, deri në heqjen e plotë të tyre. Pra, jemi në diskutime dhe po kryhen analizat dhe studimet e duhura për reduktimin deri në heqjen e tarifave roaming me BE-në,” thotë z.Rrapaj.

Bashkimi Europian u bë hapësira e parë e përbashkët që vendosi heqjen e tarifave roaming, duke filluar nga muaji qershor 2017. Modeli i Bashkimit Europian u zbatua edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor, që, me koordinimin dhe ndërmjetësimin e Komisionit Europian, në vitin 2019 ndërmorën një proces të ngjashëm.

Ai nisi me uljen e përshkallëzuar të tarifave roaming, me dy etapa, deri në heqjen e plotë të tyre, duke filluar nga 1 korriku 2021. Operatorët celularë duhet të ofrojnë shërbime të rregulluara roaming me pakicë, sipas çmimeve përkatëse brenda vendit për pajtimtarët e tyre, të cilët zakonisht janë rezidentë në Shqipëri, në kohën që ata udhëtojnë në vendet e Ballkanit Përëndimor. Kjo vlen edhe për njësitë e komunikimit të paketave ofertë, që përdoruesit do të vazhdojnë t’i përdorin lirisht edhe në roaming. Heqja e tarifave roaming do të lehtësojë komunikimin në lëvizjet e punës dhe turizmit të shtetasve brenda rajonit.

Për Ballkanin Perëndimor ky hap mundësua nëpërmjet një marrëveshjeje politike mes të gjitha vendeve pjesëmarrëse. Heqja e roaming me BE-në do të kërkojë marrëveshje të ngjashme të Unionit me secilin vend të rajonit, për sa kohë nuk ka sinjale të një anëtarësimi të shpejtë për asnjë prej vendeve të Ballkanit Perëndimor. Megjithatë, hollësitë e këtij procesi dhe rruga që do të ndiqet ngelet për t’u detajuar, në nivel politik, ligjor dhe teknik. /MONITOR

Artikulli i mëparshëmDeti Mesdhe është i ‘sëmurë’, një rrjet termometrash i mat temperaturën çdo 15 minuta
Artikulli i radhësHap rrugët edhe Suedia, kriteret e shteteve që lejojnë deri tani udhëtimin e shqiptarëve