Hapja e dosjes nga SPAK për skandalet me tenderat e uniformave rrezikon që të shkojë deri në nivele ministrash. Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshme historikisht janë përfshirë në skandale me uniformat. I pari që hapi siparin e tenderave me uniformat ka qenë Arben Imami kur ishte ministër i Mbrojtjes, ndërsa ka vijuar më pas me pasardhëset e tij Mimi Kodheli e Olta Xhaçka, ndërsa nga Ministria e Brendshme duket se i ka plasur skandali Sandër Lleshajt. Ndërkohë rol kanë pasur dhe Fatmir Xhafaj dhe Saimir Tahiri, por në fund ata i kanë anuluar tenderat duke dalë të larë.
Skandalet e njëpasnjëshme
Arben Imami ishte ai i cili kur ishte ministër i Mbrojtjes hapi një tender për uniformat e ushtrisë me vlerë 1.7 miliardë lekë. Tenderi u anulua disa herë dhe iu ndryshuan po disa herë kriteret, duke favorizuar vetëm një kompani. Sipas padisë që bënë deputetët e opozitës, kompani të ndryshme, por me numra telefoni të njëjtë kanë marrë tendera për të qepur uniformat e policisë dhe ushtrisë shqiptare. Në mes të korrikut të vitit 2020 Firma D&E shpk e lidhur me disa kompani të huaja, ka fituar tenderin për pajisjen e policisë me uniforma me një vlerë prej afro 26 milionë dollarë, 5 milionë $ më shumë se operatori turk Genç Taahhüt Giyim Tekstil ?n?aat, i klasifikuar në vend të parë duke ofruar rreth 20 milionë dollarë. Për të arritur në këtë rezultat tenderi është zvarritur për më shumë se një vit në procedurat e Ministrisë së Brendshme dhe Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, fillimisht në lojë ka hyrë një kompani kroate e lidhur me operatorë shqiptarë, e cila ka kërkuar ndryshime teknike dhe këtu bëhet shkelja e parë duke ulur numrin e uniformave që duhen prodhuar ndërkohë që vlera e tenderit mbetet e njëjtë. Procedura e tenderit pezullohet dhe hapet pas disa muajsh. Më pas kompania kroate skualifikohet. Në garë mbeten dy operatorë, D&E shpk dhe kompania turke Genç Taahhüt Giyim Tekstil ?n?aat, që arrijnë parakualifikim. Për të vazhduar më tej, këto subjekte duhet të prodhojnë brenda 20 ditësh kampionet, por afati është i shkurtër dhe për të fituar kohë në lojë futet kompania Marsi&Al që kërkon rishikimin të procedurave. Kërkesa rrëzohet, por koha e shqyrtimit u vjen në ndihmë dy kompanive të tjera që të realizojnë kampionet. Në përfundim Ministria e Brendshme shpall fituese kompaninë me vlerën më të lartë të ofruar D&E shpk, 5 milionë dollarë më shumë se kompania turke. Në dokumentet zyrtare të QKB-së, Marsi&al rezulton me të njëjtin numër telefoni me D&E shpk.
Skandalet ndër vite
D&E shpk ka marrë gati 19 milionë dollarë që nga viti 2012 kur Ministria e Mbrojtjes drejtohej nga Arben Imami ndërsa Marsi&AL firma tjetër që del disa herë në skemë lidhi po gjatë kësaj periudhe një kontratë tjetër pa tender dhe pa konkurrencë, prej rreth 12 milionë dollarësh. Deputetët opozitarë në kallëzim thonë se ish-ministrja Mimi Kodheli dhe më pas ministrja Olta Xhaçka, qetësisht vazhdojë punën me dy kontraktorët, D&E shpk dhe Marsi&AL shpk, konkretisht duke u dhënë këtyre dy firmave “fantazma” afro 50 milionë dollarë që nga viti 2014. Fatura në total vetëm nga Ministria e Mbrojtjes është 80 milionë dollarë.
Lëvizjet me tenderat
Në tenderat lidhur me veshjet e punonjësve të policisë ndër vite, vihet re se ka pasur favorizime të kompanive të caktuara, ndryshime të cilësisë së uniformave si edhe mashtrim me zbatimin e kontratave. Kështu, në vitin 2011, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë publikoi tenderin dhe në qershor shpalli fitues kompaninë “Gjergjefi” shpk, me pronar Jani Gjergjefi. Oferta fituese e kompanisë “Gjergjefi” shpk ishte 1.8 miliardë lekë. Në atë kohë tenderi u denoncua si tërësisht korruptiv, i paracaktuar dhe me vlerë të pajustifikuar. Sipas anëtarëve të Komisionit të Sigurisë Kombëtare në atë kohë, tenderi duhet të ishte ndarë në lote të ndryshme, për të ulur koston të paktën me 30%. Tenderi tjetër, ishte ai në vitin 2014, i cili ishte me 3 faza me vlerë 550 mijë euro. Tenderi u arrit dhe Policia mori uniformat e premtuara. Në maj të po atij viti, ministria zgjati kontratën me të njëjtën kompani, pa garë, me negocim paraprak në vlerën e 1.6 milionë eurove. Ministria e Brendshme, nisi një tjetër tender në dhjetor të 2015-s me vlerë 960 mijë euro. Tenderi u fitua nga kompania “Marsi-Al”, por ministri Saimir Tahiri, 3 muaj më pas, në shkurt të 2016, anuloi kontratën pasi kompania nuk kishte zbatuar detyrimin. Asokohe, Tahiri prezantoi uniformat e reja, dhuratë nga Turqia. Në shkurt të vitit 2017, Ministria e Brendshme hapi një tender me vlerë 9.5 milionë euro, me afat për 3 vite për uniformat e policisë. Në shtator, tenderi u anulua nga Fatmir Xhafaj. Ndërkohë, në gusht të vitit 2018, ministri Fatmir Xhafaj hapi një tender për uniformat me një buxhet prej 7.5 milionë euro. Edhe ky tender u anulua. Në korrik 2019, Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, për llogari të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, shpalli tenderin për uniformat e policisë me fond limit 2. 800. 347. 570 ose rreth 28 milionë USD, për katër vite. Kompania “Marsi-Al” kërkoi që të merrte këtë tender, por tashmë aktorë të rinj dhe më të fuqishëm kishin hyrë në lojë. Një vit më pas, në korrik 2020, u përjashtuan të gjithë operatorët konkurrues, përveç fituesit që ishte bashkimi i kompanive “D&E SHPK dhe SUMMER CONF. s.r.l.