Kompania që do të përfitojë qindra hektarë tokë shtetërore falas në portin e Durrësit, vjen nga ishujt Kejmen dhe është themeluar vetëm pak muaj më parë.
MCN zbardh ekskluzivisht rrjetin e kompanive, që qëndrojnë pas projektit 2 miliardë dollarë të shumëtrumbetuar nga qeveria, i cili synon ndërtimin e një porti turistik në Durrës, por edhe rizhvillimin e gjithë zonës në një kompleks të madh me hotele dhe apartamente.
Zyrtarisht, qeveria ka paraqitur si zhvillues dhe financues të projektit, themeluesin e grupit arab Emar, Muhamed Alabar. Por me sa duket, Alabar ka vendosur që të vijë në Shqipëri, jo përmes grupit Emar, por me kompani offshore nga ishujt Kejmen.
Dokumentet e siguruara nga MCN, tregojnë se në 25 maj të këtij viti, në Qendrën Kombëtare të Biznesit është regjistruar një kompani me emrin Symphony Real Estate Development. Kjo kompani ka një kapital prej vetëm 10 mijë lekë dhe administrator i saj rezulton shtetasi Oltjan Hoxholli, një avokat partner në studion ligjore LPA. Por Hoxholli është thjesht një nëpunës i emëruar. Pronari i Symphony Real Estate është një kompani guackë nga ishujt Kejmen e quajtur Symphony Invest Limited.
E themeluar në ishujt Kejmen në 23 shtator të vitit të kaluar, Symphony Invest Limited është kompania, me të cilën qeveria shqiptare ka lidhur marrëveshjen 2 miliardë dollarëshe për rizhvillimin turistik të portit të Durrësit përmes një ligji special, si ai i Teatrit Kombëtar që rrëzoi Gjykata Kushtetuese.
Por kush qëndron pas kësaj kompanie offshore?
Fillimisht Symphony Invest Limited është krijuar nga një firmë ligjore e specializuar në regjistrimin e kompanive guacka, për llogari të biznesmenit Muhamet Alabbar. Por menjëherë pas themelimit, ky i fundit i ka transferuar aksionet e saj tek në mënyrë të barabartë te dy kompani të tjera, të quajtura Eastern RE Fund lp dhe Symphony Global Holdings.
Edhe këto dy shoqëri rezultojnë të hapura rizhtazi në Dubai, pa historik dhe pa bekgraund financiar. Rrjedhimisht, përfituesi fundor i kompanisë që do të marrë më shumë se 100 hektarë tokë shtetërore falas në portin e Durrësit është i panjohur, ashtu si dhe kapaciteti financiar i tij.
Projekti i portit të Durrës rrethohet nga shumë pikëpyetje, jo vetëm financiare, por edhe ligjore. Ky investim do të realizohet përmes një ligji special, jashtë rregullave të prokurimit publik, por edhe transparencës së detyruar të projekteve shtetërore.
Regjistrimi në offshore i kompanive që do të financojnë dhe realizojnë projektin i shton edhe më shumë këto pikëpyetje, ndërkohë që ligji special i qeverisë për portin e Durrësit ka shkaktuar jo pak shqetësim te Bashkimi Europian.
Kush është Oltion Hoxholli?
Nga të dhënat e QKB, Hoxholli rezulton administrator i kompanisë Moveo Albania, e regjistruar më 12 dhjetor 2017 dhe e themeluar më 5 dhjetor 2017. Moveo Albania operon në dizenjimin e softuerëve, zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve.
Por, mesa duket, Hoxholli figuron vetëm në letra si administrator i kompanisë Moveo Albania. Erion Isufi, që në qarqet politike dhe mediatike njihet si “kunati i Bashës”, njëkohësisht themelues i Landmark Comunications, në faqen e kësaj të fundit përshkruhet si bashkëthemelues i Moveo Albania, pra ortak i Hoxhollit, me kompaninë e të cilit qeveria shqiptare ka lidhur marrëveshjen 2 miliardë dollarëshe për rizhvillimin turistik të portit të Durrësit.
Kompania përjashtoi Hoxhollin pas daljes së lajmit
Pas publikimit të lajmit se pas projektit të Portit të ri të Durrësit qëndron edhe Oltian Hoxholli, ka reaguar kompania Moveo Albania ku ai është përfaqësues ligjor i saj. Kompania thotë se nuk ka pasur dijeni që ai ishte i përfshirë edhe në kompani të tjera ndaj ka vendosur ta shkarkojë menjëherë.
REAGIMI
1. Oltian Hoxholli është avokat partner në studion ligjore LPA. Prej disa vitesh ai ka qenë përfaqësues ligjor, i zgjedhur dhe si administrator i kompanisë italiane Moveo. Ligji shqiptar kërkon që në rastin e kompanive të huaja, një prej administratorëve të jetë shqiptar dhe kompania italiane Moveo ka zgjedhur si bashkë-administrator të Moveo Albania përfaqësuesin ligjor, Z. Hoxholli para disa vitesh.
2. Kompania Moveo Albania ka nisur aktivitetin ne vitin 2018. Objekti i aktivitetit te Moveo Albania është programimi i softuerëve, zhvillimi dhe mirëmbajtja e sistemeve kompjuterike.
3. Në asnjë rast as Moveo Albania dhe as partnerët e Moveo Italia nuk kanë qenë në dijeni që shtetasi Oltjan Hoxholli përfqësonte si administrator edhe kompani të tjera. Sapo mësuam sot nga mediat për përfshirjen e tij në rastin e investimit në portin e Durrësit, vendosem shkarkimin e tij si administrator i Moveo Albania me efekt të menjëhershëm.