Shpërndarja e mandateve të deputetëve, ‘Kushtetuesja’ zbulon vendimin e rëndësishëm

0
Shpërndarja e mandateve të deputetëve, 'Kushtetuesja'

Gjykata Kushtetuese ka zbardhur vendimin e saj të 30 qershorit, ku pranoi pjesërisht kërkesën e partive Bindja Demokratike dhe të Lëvizjes Demokratike për Ndryshim për të shfuqizuar nenin që shpërndan mandatet e deputetëve sipas logjikës së herësit.

Sipas Gjykatës, “pika 3 e nenit 163 të Kodit Zgjedhor, në disa zona zgjedhore me numër të vogël zgjedhësish ose me numër të ulët të mandateve, e shndërron votën parapëlqyese në të drejtë iluzore, pasi cenon thelbin e së drejtës për të zgjedhur”.

“Për rrjedhojë, Gjykata vlerëson se parashikimi i herësit, lidhur me vlerën e tij numerike, i përcaktuar në pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, si një ndër kriteret që ndikon në shpërndarjen e mandateve, cenon të drejtën për të zgjedhur, pasi nuk përmbush kriterin e proporcionalitetit,”-sqarohet në vendimin e Gjykatës.  Po ashtu bazuar në pikën e kontestuar, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10, 000 vota. Por disa zona me numër të vogël zgjedhësish, janë të penalizuar.  

PËRFUNDIMI:

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese

VENDOSI:

– Pranimin pjesërisht të kërkesës.

– Shfuqizimin e pikës 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor si të papajtueshëm me Kushtetutën. 

Çfarë parashikon neni 163/3

3. Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.

Megjithatë vendimi i marrë nga Gjykata Kushtetuese nuk ka efekt prapaveprues, ndaj do të zbatohet për zgjedhjet e ardhshme dhe do të sjellë hapjen 100% të listave.

Artikulli i mëparshëmAeroporti Ndërkombëtar ‘Nënë Tereza’ jep njoftimin me shumë rëndësi për të gjithë udhëtarët që duan të fluturojnë drejt këtij shteti
Artikulli i radhësKapja e kokainës në Durrës, vjen reagimi i parë nga Ministria e Brendshme