OPEC+ arrin marrëveshje mbi prodhimin / Nga muaji gusht kuotat do të rriten me 400 mijë fuçi në ditë

0

Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës dhe aleatët e tjerë, që ndryshe njihen si OPEC+, kanë rënë dakord në një takim të zhvilluar online për të rritur prodhimin me 400 mijë fuçi në ditë, ndërkohë që kërkesa përmirësohet.

Gjithashtu, OPEC+ arriti një marrëveshje edhe për fazën e daljes nga ulja e prodhimit  prej 5.8 milionë fuçi në ditë, deri në shtator të vitit 2022, por kjo do të varet nga kushtet e tregut. Vitin e kaluar, OPEC+ e uli prodhimin me një shifër rekord prej 10 milionë fuçi në ditë, për shkak se pandemia rrëzoi kërkesën dhe çmimet.

Që nga kjo periudhë filloi rritja graduale e prodhimit dhe aktualisht reduktimi qëndron në 5.8 milionë fuçi. Në një deklaratë pas takimit, OPEC+ tha se vendet ranë dakord të rrisin gradualisht prodhimi duke filluar nga gushti dhe më pas në dhjetor do të vlerësohen kushtet e tregut dhe zhvillimet e tjera për të përcaktuar politikat.

Takimi nënvizoi fuqizimin e themeleve të tregut, ndërsa kërkesa ka shfaqur shenja të qarta të përmirësimit. Në anën tjetër, edhe rezervat globale po shënojnë rënie. gjithashtu, OPEC+ ra dakord për kuota më të larta prodhimi që nga maji i vitit 2022, për disa vende si Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Rusia, Kuvajti dhe Iraku.

Në këtë mënyrë, ka marrë fund përplasja  brenda OPEC, mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Arabisë Saudite mbi kuotat e prodhimit.

Artikulli i mëparshëm“Kam mamin sëmurë, më nis ndonjë lek”/ 29-vjeçari me foto vajze bënte namin në Facebook
Artikulli i radhësItalia paguan 33 mijë euro për këdo që do të jetojë në këto fshatra – Ja vendet dhe kriteret për banorët e rinj potencial