“Kemi ardhur këtu të respektojmë veten”: Daja i tregon “dhëmbët” Basel

0

Partizani do të sfidojë nesër në raundin e dytë të Conference League zviceranët e Basel, një kundërshtar me koeficient të lartë vështirësie për të kuqtë, që megjithatë nuk duan të heqin dorë nga ëndërra. Pasi eleminuan Sfintul Gheorghe, kryeqytetasit duan të masin forcat me gjigantët zviceranë e në konferencën për shtyp tekniku Ilir Daja e bën të qartë se ka ardhur në Zvicër për të tentuar befasinë: “Basel është një nga ekipet më me traditë jo vetëm në futbollin zviceran. Kanë qenë pjesëmarrës të rregullt në kompeticionet evropiane duke qenë pjesë edhe në grupet e Ligës së Kampioneve. Kampionati zviceran është më i fortë se i yni dhe Bazel e ka mbyllur sezonin e shkuar në vendin e dytë. Do të thoja që Bazel ka patur më shumë kohë për ta përgatitur ndeshjen në raport me ne që pas kualifikimit të merituar ndaj Sfintul kemi patur vetëm tre ditë në dispozicion. E respektojmë Bazel, por kemi ardhur që të respektojmë edhe veten tonë. Nëse kemi një ëndërr dhe duam ta bëjmë realitet këtë duhet ta bëjmë këtu në Zvicër përtej koeficientit të vështirësisë që paraqet kjo ndeshje”.

Të kuqtë do të kenë problemin e mungesës së Mustës, i dëmtuar, gjë që i krijon jo pak vështirësi Dajës për formacionin, duke qenë i zbuluar në atë pozicion: “Për sfidën e nesërme kemi vetëm mungesën e Emiljano Mustës, pjesën tjetër të grupit e kemi në dispozicion. Mundet të startojmë edhe me një ndryshim në formacion për të patur një tjetër strategji për vetë kohën e pakët që kemi patur për ta përgatitur ndeshjen. Shpresojmë që të jetë ajo e duhura, por do të marrim informacion edhe nëpërmjet lojës për të parë çfarë mund të bëjmë më të mirën në ndeshjen e nesërme” theksoi Daja.

Do të jetë një përplasje me Taulant Xhakën: “Personalisht më vjen shumë mirë që lojtarët shqiptarë po integrohen në ekipet me zë në Europë. Kjo është gjë shumë e mirë për shqiptarët kudo që janë sepse lojtarët shqiptarë kanë premisa të mira për të luajtur futboll pasi talenti nuk u mungon. Këta lojtarë mund të jenë ambasadorët më të mirë për ti hapur rrugën edhe brezave të tjerë të përfaqësohen siç edhe po tregojnë lojtarët shqiptar të Bazel”, mbylli Daja fjalën e tij në konferencën për shtyp përpara ndeshjes së të enjtes.

Artikulli i mëparshëmKontrollet policore nëpër rrugë, 18 shoferë të arrestuar
Artikulli i radhësTregolësh në debutimin me ekipin e parë të Barcelonës: Manaj shënon edhe me gjoks para syve të Koeman