Analisti Mentor Nazarko ka deklaruar se në shtator Shqipërisë i duhet një qeveri me bazë të gjerë.
Për Nazarkon, kryeministri po kërkon të ndryshojë imazhin e cënuar dhe goditur nga skandalet apo akuzat e opozitës.
“Nëse Rama kërkon të paraqesë një imazh, thellësisht dhe cilësisht të ndryshuar i duhet qeverisje me bazë të gjerë, personalitete teknike apo nga diaspora. Ajo që ka thënë z.Veliaj është parathënëse e asaj që është zhvillim i ri në mandatin e tretë. Rama është shmangur pas fitores nga përdorimi i gjuhës agresive ndaj kundërshtarit, po zhvillon në mënyrë periodike edhe konsultime për përfshirjen e gjakut të ri të kombit në ekipin qeverisës apo në ekipin administrativ. Kjo është e dobishme, kombëtarisht e vlefshme. Kombi në shekullin e 21,në kushtet e thithjes së trurit nga vende që kanë fuqi ta bëjnë këtë, është edhe një tërësi lidhjesh shpirtërore, ekonomike me diasporat përkatëse. Shtete të caktuara kanë model të caktuar lidhjesh. Rama ndërkohë do veç të tjerash që nëpërmjet një operacioni të tillë të ndryshojë imazhin e tij të cënuar apo e goditur nga skandalet apo sulmet e opozitës, kërkon të hapë një faqe të re. Në kushtet kur je në mandatin e tretë, pra me fuqi të madhe ke mundësi ta rishpikësh veten. Të tregosh distancë nga ato grupet social-ekonomike që e sollën në mandatin e tretë, pra të shkëputet nga ato : Njerëz me pushtet lokal apo qendror, por kanë menduar se janë të pazëvendësueshëm, të paprekshëm. Psh, po tregohet që askush nuk është i paprekshëm përveç Ramës. Rama e ka treguar që e njeh spektaklin artistik dhe politik. Ndërkohë nuk e dimë çfarë po gatuan, por ai e di se efekti surprizë është premisë e mirë për sukses. Askush nuk e di tamam se si e mendon. Tani në muajt korrik-gusht gjendet andej nga Dhërmiu ose andej nga jugu”, tha Nazarko për News24.