A i ndihmojmë të varfrit kur u japim para?

0

Koncepti është i thjeshtë dhe joshës: Jepuni njerëzve para, dhe i nxirrni ata nga varfëria. Është një strategji që po përdoret gjithnjë e më shumë në vendet me të ardhura më të ulëta, dhe në vendet me të ardhura më të larta për t’i ndihmuar njerëzit e varfër.

Organizatat ndërkombëtare si Banka Botërore, USAID dhe Kombet e Bashkuara po financojnë më shumë projekte, që fokusohen në dhënien e parave të gatshme për njerëzit, ndërsa organizata bamirëse si “GiveDirectly” janë ngritur enkas për të bërë vetëm këtë gjë.

Meksika, Brazili dhe Kenia janë shembujt kryesorë të vendeve që kanë zbatuar tashmë programe ambicioze të të ardhurave të tyre të garantuara. Edhe SHBA po eksperimenton më shumë me pagesat në para. Për shembull, me paketën prej 1.9 trilionë dollarësh qeveria do të japë ndihma periodike në para të gatshme për shumicën e familjeve me fëmijë.

Stokton në Kaliforni – qyteti i parë në SHBA-së që u dha para të gatshme njerëzve me të ardhura të ulëta – sapo përfundoi një program pilot 2-vjeçar. Dhe disa kryetarë bashkish në SHBA po përpiqen që të bëjnë të njëjtën gjë, teksa lista e mbështetësve të profilit të lartë të kësaj skeme ndihme vazhdon të rritet.

Pra duket se ekziston një konsensus në rritje, se paraja e gatshme është mjeti më i mirë në luftën kundër varfërisë. Por a është vërtet kështu? Si një ekonomist që studion varfërinë dhe zhvillimin, unë ia kam kushtuar karrierën time hulumtimit të çështjeve të tilla.

Ndërsa paraja e gatshme mund të jetë një mjet efektiv ndihme, nuk besoj se është gjithmonë më i miri. Ka shumë prova se ndihma me para të gatshme ka ndikime pozitive në njerëzit që jetojnë në varfëri, të paktën mesatarisht.

Për shembull, një rishikim i kohëve të fundit i 165 studimeve, zbuloi se ndihma në para të gatshme, tenton të shtojë shpenzimet për ushqime dhe mallra të tjerë, ndërsa gjithashtu përmirëson edhe rezultatet në arsim dhe shëndetin e njerëzve. Autorët e studimit gjetën pak ose aspak prova të pasojave të padëshiruara, të tilla si për shembull: njerëzit punojnë më pak sepse kishin të ardhura më të larta javore.

Në mënyrë të ngjashme, një studim i bërë publik mbi eksperimentin me të ardhurat bazë në Stokton, që u dha banorëve të zgjedhur në mënyrë rastësore 500 dollarë në muaj për 2 vjet, zbuloi se pagesat me para të gatshme stabilizuan të ardhurat e marrësve, i ndihmuan ata të gjenin më shumë punë me kohë të plotë, të reduktonin depresionin dhe ankthin.

Por kjo nuk do të thotë që paraja është strategjia më e mirë për të luftuar varfërinë, siç kanë argumentuar disa njerëz, mes tyre kandidati për kryetar për bashkinë e Nju Jorkut, Endrju Jang. Unë besoj se ekzistojnë disa arsye pse politikë-bërësit duhet t’i shohin me kujdes këto prova.

Së pari, shpesh është e vështirë të identifikosh njerëz që janë në të vërtet të varfër dhe kanë nevojë për para, në mënyrë që ndihma në para të mund t’u jepet njerëzve të duhur.

Një studim i fundit shqyrtoi të dhëna nga 9 vende afrikane nën-Sahariane për të vlerësuar ecurinë e një metode të përbashkët që përdorin programet anti-varfëri. Ai zbuloi se rreth gjysma e familjeve të zgjedhura për të zbatuar këtë program nuk ishin të varfra, ndërsa gjysma e familjeve që ishin vërtet të varfra nuk u zgjodhën.

Problemi i shënjestrimit nuk është unik për vendet në zhvillim. Për shembull, eksperimenti i Stokton përkufizonte si të varfër njerëzit që jetonin në lagje me të ardhura mesatare dhe nën mesataren e qyteti. Një problem tjetër lidhet direkt me përkufizimin e varfërisë, që përcaktohet si mungesë e mirëqenies në vend të mungesës së të ardhurave.

Me pak fjalë, dhënia e parave të gatshme nuk përmirëson drejtpërdrejt mirëqenien e dikujt.

Përkundrazi, është një mjet që mund të përdoret për të blerë gjëra, si ushqimi dhe strehimi, që kontribuojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e tyre. Edhe nëse të varfrit mund të identifikohen me sukses, disa njerëz mund të mos kenë përfitimin e duhur për shkak të problemeve me kthimin e parave në përmirësime real të mirëqenies së tyre.

Për shembull, njerëzit mund të jenë duke përjetuar probleme të shëndetit mendor ose fizik, ose mund të ndikohen nga mënyrat delikate që vetë varfëria komprometon vendimmarrjen ekonomike.

Një problem i fundit është se ndihma e drejtpërdrejtë me para të gatshme nuk lufton problemet strukturore – si diskriminimi, qeverisja e dobët demokratike dhe praktikat e padrejta të tregtisë ndërkombëtare – që e shkaktojnë varfërinë.

Sigurisht, paraja e gatshme mund të ndihmojë disa njerëz, dhe kjo pa dyshim që është një konsideratë e rëndësishme, veçanërisht në situata emergjente kur ndihma e menjëhershme është jetike, si gjatë pandemisë aktuale. Por nuk ka një qasje të vetme për ta zbutur varfërinë.

Vende, komunitete dhe individë të ndryshëm kanë nevoja unike dhe përballen me pengesa të ndryshme për t’i shpëtuar varfërisë. Ndonjëherë kjo do të thotë të investosh në reforma strukturore, ndonjëherë do të thotë të japësh ndihmë ushqimore dhe ndonjëherë edhe pagesa direkte.

Në përgjithësi, ideja e një konsensusi të parave të gatshme humbet fokusin tek ajo që duhet të jetë kryesorja: Nxitja e zhvillimit njerëzor nënkupton fuqizimin e njerëzve për të marrë vendime për veten e tyre, dhe kjo përfshin lejimin e tyre për të zgjedhur llojin e ndihmës që është e përshtatshme për situatën e tyre. Dhe kur u jepet një zgjedhje, njerëzit jo gjithmonë zgjedhin paratë e gatshme.

Artikulli i mëparshëmFaturonin kredi të paligjshme me dokumente të falsifikuara/ Policia procedon penalisht 2 shtetas
Artikulli i radhësStudimi: Një përqindje shumë e vogël e ADN-së sonë është “njerëzore”